Bota

Ukraina vendos sanksione ndaj tre kompanive kineze!

Ukraina ka vendosur sanksione ndaj tre kompanive kineze. Kjo vjen pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Kinën për furnizim të Rusisë me armë.

Ndërkohë Ministria e Jashtme e Kinës më herët të premten i ka mohuar akuzat e presidentit Zelensky si të pabaza. Administrata e Zelenskyt të premten publikoi një listë të përditësuar të entiteteve të sanksionuara. Lista, që po ashtu përfshinë kompani ruse, ka përfshirë edhe tre kompani të reja që janë të regjistruara në Kinë.

Nuk ka detaje se pse ato janë shtuar në listën e sanksioneve, që i ndalon kompanitë të zhvillojnë tregti në Ukrainë dhe i ngrin të gjitha asetet e tyre aty.

Pekini zyrtar po mohon se i ka dhënë armë vdekjeprurëse ndonjërës prej palëve të përfshira në luftën në Ukrainë. Reagimi vjen pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pretendoi se ka “informacione” se Kina po e furnizon me armë Rusinë.

Pala kineze asnjëherë nuk ka ofruar armë vdekjeprurëse për ndonjë palë në konflikt e në mënyrën më të rreptë kontrollon mjetet me përdorim të dyfishtë, u shpreh sot zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian.

Zelensky nuk dha detaje për akuzat e tij ndaj Kinës, por ai vuri në dukje se Kievi është “i gatshëm” që të bisedojë në detaje në lidhje me këto pretendime të ngritura. Javën e kaluar, presidenti ukrainas tha se e dinë se të paktën 155 shtetas kinezë janë dislokuar për të ndihmuar Moskën në luftën kundër Ukrainës dhe gjithashtu pretendoi se ushtria ukrainase ka kapur dy ushtarë kinezë në rajonin lindor të Donjeckut.