Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka gjasa t’i nënshtrohet ultimatumit të sanksioneve nga presidenti amerikan, Donald Trump që skadon këtë të premte dhe ruan qëllimin për të kapur katër rajone të Ukrainës në tërësi, thanë burime pranë Kremlinit për Reuters. Trump ka kërcënuar të godasë Rusinë me sanksione të reja dhe të vendosë tarifa 100% për vendet që blejnë naftën e saj nëse Putin nuk pranon një armëpushim në luftën e Rusisë në Ukrainë.
Vendosmëria e Putinit për të vazhduar nxitet nga besimi i tij se Rusia po fiton dhe nga skepticizmi se edhe më shumë sanksione të SHBA-së do të kenë një ndikim të madh pas valëve të njëpasnjëshme të ndëshkimeve ekonomike gjatë 3 vjet e gjysmë lufte, sipas tre burimeve të njohura me diskutimet në Kremlin.
Udhëheqësi rus nuk dëshiron ta zemërojë Trumpin dhe e kupton se mund të jetë duke refuzuar një shans për të përmirësuar marrëdhëniet me Uashingtonin dhe Perëndimin, por qëllimet e tij të luftës kanë përparësi, thanë dy nga burimet. Qëllimi i Putinit është të pushtojë plotësisht rajonet ukrainase të Donetskut, Luhanskut, Zaporizhzhisë dhe Khersonit, të cilat Rusia i ka pretenduar si të vetat dhe më pas të flasë për një marrëveshje paqeje, tha një nga burimet. James Rodgers, autor i librit të ardhshëm “Kthimi i Rusisë”, tha:
Nëse Putin do të ishte në gjendje t’i pushtonte plotësisht ato katër rajone që ai i ka pretenduar për Rusinë, ai mund të pretendonte se lufta e tij në Ukrainë i kishte arritur objektivat e tij.