Tech

Unaza Galaxy e Samsung, detaje të reja që do t’ju pëlqejnë!

Unaza Galaxy e Samsung do të ketë dy madhësi të reja muajin e ardhshëm. Pajisja inteligjente më në fund do të jetë në gjendje “të strehojë gishta më të trashë” në janar, me madhësinë 14 dhe madhësinë 15 që bashkohen me të tjerët. Unaza Galaxy me madhësi 14 do të ketë një diametër të brendshëm prej 23 mm dhe ka numrin e modelit SM-Q514. Unaza e madhësisë 15 ka një diametër të brendshëm 23,8 mm dhe numrin e modelit SM-Q515. Të dy pajisjet peshojnë 3.2 g. Këto madhësi të reja janë përfolur fillimisht se do të mbërrijnë brenda disa javësh në shtator, kështu që Samsung-ut sigurisht i është dashur shumë kohë për t’i nxjerrë ato në treg.

Apple nga ana tjetër do të fokusohet në një orë inteligjente në vend të një unaze inteligjente. Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë finlandeze të teknologjisë shëndetësore Oura, Tom Hale, tha se Apple nuk do të prezantojë një unazë inteligjente, pavarësisht spekulimeve se prodhuesi i iPhone mund të jetë duke konsideruar një lëvizje në këtë kategori produktesh. Kompania Oura ka zhvilluar unaza inteligjente që kur u themelua në vitin 2013.

Në një intervistë me CNBC në Web Summit në Lisbonë, Hale tha se ai mendon se Apple “nuk është i bindur për vlerën” e një unaze dhe ore inteligjente në një projekt të përbashkët, domethënë ata besojnë se prodhimi i një unaze inteligjente do të zvogëlonte vlerën e Apple Watch inteligjent, i cili është në treg. “Apple është një kompani shumë e përqendruar. Ata thonë “ne vëmë bast për orën. Ne do ta bëjmë orën platformën tonë’”-tha Hale.

Një tjetër unazë inteligjente po vjen në treg këtë muaj. Është Oura Ring 4, që duhet të ndryshojë nga paraardhësi i tij me një dizajn më të hollë, bateri më të mirë dhe matje më të saktë të aktivitetit. Samsung së fundmi vendosi të “ngatërrojë” konkurrencën me nxjerrjen e unazës së re inteligjente, por shefi i Oura, Tom Hale, tha se “Samsung po synon aftësitë që Oura kishte dy vjet më parë”. Produktet Oura Ring u bënë shumë të njohura shpejt pasi arritën në treg, falë dizajnit elegant, por edhe monitorimit të saktë të shëndetit dhe parametrave të tjerë. Përveç kësaj, ato janë të lehta për t’u përdorur, që do të thotë se konkurrenca do të duhet të punojë shumë për të marrë pjesën e tyre në treg.