Magazine

Urimi për ditëlindjen e Epstein/ Trump shmang pyetjet për letrën!

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka refuzuar të komentojë mbi një letër ditëlindjeje që dyshohet se ai ia ka dërguar financuesit të ndjerë dhe pedofilit të dënuar, Jeffrey Epstein, duke e cilësuar këtë temë si një “çështje të vdekur”. Deklarata e Trump erdhi pas publikimit të një sërë dokumentesh nga një komitet hetimor i Kongresit amerikan, të cilat përfshijnë materiale të reja që lidhen me marrëdhënien e dyshuar mes Trump dhe Epstein. Pjesë e këtyre dokumenteve është edhe një vizatim i një gruaje gjysmë të zhveshur, i nënshkruar me emrin “Donald”, bashkë me një mesazh të dyshimtë ditëlindjeje.

Unë nuk komentoj për diçka që është një çështje e vdekur.

Në një komunikim të shkurtër telefonik me korrespondentin e lartë të NBC News, Garrett Haake, Trump u pyet për dokumentet e publikuara që kanë shkaktuar bujë në SHBA, por ai zgjodhi të mos japë një qëndrim zyrtar.

Unë nuk komentoj për diçka që është një çështje e vdekur. Ia dhashë të gjitha komentet stafit. Është një çështje e vdekur.

Kjo deklaratë e ftohtë ka ngjallur reagime të ndryshme në media, duke shtuar më tej dyshimet mbi përfshirjen e Trump në rrethin e ngushtë të Epstein, i cili ka qenë i përfshirë në një rrjet të gjerë abuzimi seksual dhe trafikimi të vajzave të mitura. Në dokumentet e reja, përfshihet edhe një foto me një çek “simbolik” prej 22.500 dollarësh nënshkruar nga “DJ Trump” për Epstein, ku aludohet për “blerjen” e një gruaje.