Ajo që vendosim çdo ditë në pjatë nuk ndikon vetëm në organizëm, por edhe në mënyrën se si duket lëkura jonë. Ekspertët theksojnë se ushqyerja luan një rol të rëndësishëm në ngadalësimin ose përshpejtimin e shfaqjes së rrudhave, pasi shumë nga përbërësit ushqimorë ndikojnë drejtpërdrejt në elasticitetin dhe hidratimin e saj.
Frutat dhe perimet e freskëta konsiderohen ndër aleatët më të mirë të lëkurës. Ato janë të pasura me antioksidantë, të cilët luftojnë radikalet e lira, molekula që dëmtojnë qelizat dhe përshpejtojnë plakjen. Vitaminat C dhe E ndihmojnë në prodhimin e kolagjenit, proteinës që e mban lëkurën të tendosur dhe të shëndetshme.
Një ndikim pozitiv kanë edhe yndyrnat e mira, veçanërisht omega-3, të cilat gjenden tek peshqit e yndyrshëm, arrat dhe avokadoja. Këto ndihmojnë në ruajtjen e lagështisë së lëkurës dhe reduktojnë inflamacionin, duke e bërë atë të duket më e freskët dhe më e butë. Në të kundërt, konsumimi i tepërt i ushqimeve të përpunuara, sheqerit dhe yndyrnave të ngopura mund të dëmtojë strukturën e lëkurës. Sheqeri lidhet me proteinat e saj përmes një procesi të quajtur glikacion, duke ulur elasticitetin dhe duke favorizuar krijimin e rrudhave.
Edhe mungesa e ujit ndikon negativisht, pasi dehidratimi e bën lëkurën të thatë dhe më të ndjeshme ndaj vijave të holla. Për këtë arsye, specialistët rekomandojnë një regjim ushqimor të balancuar dhe konsum të mjaftueshëm të ujit për të ruajtur freskinë dhe shëndetin e lëkurës për më gjatë.