Auto & Moto

​Ford humb 1.3 miliardë dollarë!

Ford vlerëson një humbje prej 1.3 miliardë dollarësh nga një grevë që filloi në mes të shtatorit. Greva përfundoi me një marrëveshje në parim me sindikatat që do të lejojë fabrikat të rihapen. Pa dhënë detaje mbi përmbajtjen e marrëveshjes, shefi financiar i kompanisë John Lawler tha se do të rriste kostot e prodhimit nga 850 në 900 dollarë për automjet. Si rezultat, Ford-it do t’i duhet të rrisë efikasitetin dhe produktivitetin për të kompensuar kostot më të larta të punës.

Pothuajse 45.000 nga gjithsej 146.000 punonjës që janë anëtarë të sindikatës së Bashkuar të Punëtorëve të Automjetit (UAW) dolën në grevë, si dhe në dy prodhues të tjerë amerikanë të makinave, Stellantis dhe General Motors. Ford është e para nga tri kompanitë që nënshkruan një marrëveshje me sindikatat.

Gjiganti amerikan i makinave ka bërë një ndryshim delikat por domethënës në shenjën e saj ikonë ovale me ngjyrë blu, në atë që besohet se është vetëm ndryshimi i nëntë në historinë 120 vjeçare të kompanisë dhe përditësimin e parë në 20 vjet. Shenja e re e Ford e cila vjen në një blu më të errët se më parë dhe një shkrim me ngjyrë të bardhë, në vend të asaj me ngjyrë kromi u prezantua së fundmi.

Rikujtojmë gjithashtu se Ford ka prezantuar zyrtarisht modelin e ri elektrik Mustang Mach-E Rally. Mustang Mach-E Rally vjen me dy motorë elektrikë dhe me rrota të bardha 19 inç. Bëhet fjalë për një crossover plotësisht elektrik që më parë kishte debutimin dinamik në formën e një prototipi në Festivalin e Shpejtësisë Goodwood. Dy motorë elektrikë, një në pjesën e përparme dhe një në pjesën e pasme, së bashku japin të paktën 480 kuaj/fuqi dhe 884 Nm çift rrotullues dhe mundësojnë përshpejtimin nga 0 në 100 km/h në më pak se 4 sekonda.