Aktualitet

24 vatra zjarri të shuara në 24 orë në vend!

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, gjatë këtyre 24 orëve janë shuar 24 vatra zjarri, 5 prej të cilave kanë qenë problematike duke rrezikuar zona të banuara e zona të mbrojtura.

Janë shuar tri vatrat në Qarkun e Lezhës: në Balldren, në zonën pyjore në Orosh si dhe vatra në fshatin Bërzanë, ku flakët rrezikuan zonën e mbrojtur. Favorizimi nga era bëri që në një kohë relativisht të shkurtër zjarri të merrte përmasa të menjëhershme. Angazhimi i 105 forcave operacionale, prej tyre 60 Forca të Armatosura, të shërbimit zjarrfikës, të shërbimit pyjor, Policisë së Shtetit, vullnetarë dhe sektori i emergjencave të bashkisë Lezhë si dhe me ndërhyrjen nga ajri të helikopterit Cougar bën të mundur vënien nën kontroll dhe shuarjen e tij në kohë rekord.

Gjithashtu bëhet e ditur se, janë shuar vatrat në fshatin Malajgji të bashkisë Vau i Dejës dhe një vatër në kurrizin e Moravës, në Devoll. Gjatë këtyre 24 orëve, qarqet më problematike sa i përket zjarreve kanë qenë Shkodra, Vlora dhe Lezha.

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile njoftoi se mëngjesi i sotëm ka nisur i qetë. Aktualisht janë aktive tri vatra, të cilat po zhvillohen me intensitet të ulët: vatra në fshatin Lekbibaj në bashkinë Tropojë, në fshatin Shetaj dhe Bizë të Bashkisë Durrës.

Për menaxhimin e situatave të krijuara nga zjarret gjatë 24 orëve janë angazhuar gjithsej 435 forca operacionale, 27 mjete tokësore dhe një mjet ajror. Strukturat e sistemit të mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë me të gjitha kapacitetet nga toka dhe ajri për mbajtjen nën kontroll të situatës dhe normalizim e saj në të gjithë vendin.

U bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm, veçanërisht në këtë periudhë, kur edhe temperaturat e larta favorizojnë përhapjen e zjarreve. Të bashkëpunojnë me pushtetin vendor dhe të raportojnë në kohë vatrat, duke kërkuar edhe ndihmën e menjëhershme të shërbimit zjarrfikës.