Kompania kaliforniane Alef Aeronautics ka njoftuar se së shpejti do të nisë prodhimin e makinës së parë fluturuese. Alef prezantoi makinën fluturuese Alef Model A në fillim të këtij viti me interes të madh dhe tani ata kanë njoftuar se kanë marrë më shumë se 3,200 porosi, që është shumë duke marrë parasysh që modeli kushton rreth 300,000 dollarë. PUCARA Aero dhe MYC me përvojë në prodhimin e pjesëve për Boeing dhe Airbus, nisën një sipërmarrje të përbashkët dhe nënshkruan një kontratë për prodhimin e pjesëve për Alef.
Njësitë e para të kësaj makine fluturuese duhet të prodhohen deri në fund të vitit të ardhshëm. Kompania kaliforniane, e cila mbështetet edhe nga Space X, prezantoi Modelin A në fillim të këtij viti. Bëhet fjalë për një makinë me dy sedilje që në modalitetin rrugor funksionon si një makinë elektrike e pajisur me katër motorë elektrikë. Ka tetë helika në pjesën e poshtme dhe në modalitetin e fluturimit kabina rrotullohet 90 gradë, kështu që pjesa e përparme dhe e pasme e automjetit shërbejnë si krah.
Sipas njoftimeve të prodhuesit, makina duhet të përshkojë deri në 320 kilometra në rrugë dhe deri në 180 në ajër. Ndërkaq, makina e parë në botë me energji diellore do të dalë në treg pas disa muajsh. Automjeti diellor me pamje futuriste arrin vetëm 65 kilometra në ditë me ndihmën e karikimit të dritës së diellit, por kjo nuk i ka penguar 48 mijë shoferë ta porosisin atë në SHBA, ku do të dalë në shitje. Çmimi fillon nga 35 mijë dollarë, që nuk është shumë i shtrenjtë. Triçikleta e kompanisë amerikane, Aptera Motors së fundmi ka shkuar për një xhiro në San Francisco.
Sekreti i këtij automjeti elektrik është se ai peshon 65% më pak se makinat e tjera EV dhe për shkak të dizajnit të tij unik, aerodinamik dhe masës së reduktuar, modelit i nevojiten vetëm rreth 30% të energjisë së përdorur nga automjetet e tjera elektrike. Në vendet me diell, makina pothuajse kurrë nuk duhet të futet në prizë, sipas Aptera. Kur makina është e karikuar, ajo duhet të përshkojë 600 kilometra me një bateri të plotë. Kapaciteti i baterisë nuk dihet ende. Modeli është jashtëzakonisht i lehtë dhe ka rezistencë shumë të ulët ndaj ajrit.