Celebrities

60-vjetori i Rrolling Stones, posta britanike i nderon me pulla të posaçme!

Edhe Rolling Stones përfundojnë në pulla postare. Royal Mail ka emetuar një set prej 12 ekzemplarësh, në nderim të grupit muzikor legjendar që këtë vit, feston 60-vjetorin e krijimit.

Në pulla, imazhet ikonike të Rrolling Stones gjatë performancave live në mbarë botën. Përpara grupit anglez, ky nderim i është rezervuar tre formacioneve muzikore: Beatles në vitin 2007, Pink Floyd më 2016-ën dhe Queen në vitin 2020.

Pamjet e 12 pullave në shitje nga data 20 janar, lidhen me koncertet “ulërimë” të Stones-ave në Hyde Park të Londrës në korrik të vitit 1969, në Nju Jork në korrik 1972 e Knebworth, Hertfordshire në gusht të 1976-ës. Një homazh edhe për të ndjerin Charlie Watts, bateristin e ndarë nga jeta në gusht të vitit të kaluar, në moshën 80-vjeçare. Royal Mail bëri të ditur se për emetimin e pullave, bashkëpunoi ngushtësisht me anëtarët e grupit të famshëm dhe stafin e tyre.

Zëdhënësi i postës Royal Mail, David Gold deklaroi:

Pak grupe në historinë e rock-ut kanë arritur të sigurojnë një karrierë kaq të pasur e të gjerë sa ajo e Rolling Stones. Krijuan disa prej albumëve më ikonikë e stimulues në muzikën moderne, me performanca live, revolucionare.