Bota

Amerika i rrëzoi “balonën spiune”, Kina reagon ashpër!

Kina reagon për rrëzimin që Amerika i bëri balonës kineze që fluturoi në hapësirën amerikane dhe që për Uashingtonin ishte “spiune”, por Pekini ka një tjetër version. Në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme theksohet:

Kina shpreh pakënaqësinë e fortë dhe proteston me forcë për rrëzimin e mjetit civil pa pilot nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pala amerikane këmbënguli të përdorte forcën duke reaguar në mënyrë të ekzagjeruar e shkeli rëndë praktikën ndërkombëtare. Këtë e bëri edhe pse nuk kishte rrezik e pavarësisht dijenisë se objekti përdorej për qëllime civile.

Edhe më herët, shteti kinez këmbëngulte se balona përdorej për mbledhjen e të dhënave meteorologjike e kishte humbur kontrollin ndaj përfundoi në hapësirën ajrore amerikane. Incidenti detyroi Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken të shtynte vizitën e planifikuar për këtë fundjavë në Pekin.

Rastin e balonës kineze në territorin amerikan, zyrtarët në SHBA e quajtën “ngjarje të rëndë, në shkelje të hapur të hapësirës ajrore amerikane dhe ligjit ndërkombëtar”. Në brigjet e Karolinës së Jugut, Shtetet e Bashkuara rrëzuan balonën kineze, që dyshohej se u përdor për përgjim. Për disa ditë, fluturoi mbi objekte të ndjeshme ushtarake në të gjithë Amerikën e Veriut, duke u shndërruar në pikën më të fundit të tensioneve mes Uashingtonit e Pekinit.

Pas rrëzimit, autoritetet hoqën mbetjen e saj nga ujërat territoriale amerikane. E madhe sa tre autobusë shkollash, balona u pikas të enjten, teksa fluturonte në një lartësi prej 18 kilometrash. Pamjet televizive treguan një shpërthim të vogël e më pas ishte në rënie të lirë drejt ujit. Avionë ushtarakë amerikanë fluturonin në afërsi të saj, ndërsa anijet qëndruan në gatishmëri për operacionin e nxjerrjes së mbetjeve nga ujërat e oqeanit Atlantik.

Përkohësisht, Administrata Federale e Aviacionit mbylli hapësirën ajrore mbi vijat bregdetare të Karolinës së Veriut e asaj të Jugut, përfshirë aeroportet në Charleston e Myrtle Beach. Roja Bregdetare këshilloi mjetet lundruese të largoheshin nga zona. Përpara rrëzimit, presidenti Joe Biden tha se “Shtetet e Bashkuara do të zgjidhin çështjen e balonës kineze”. Autoritetet amerikane e mbajtën nën monitorim. Dy ditë më parë, Pentagoni njoftoi se një tjetër balonë kineze u pikas në Amerikën Latine, por pa saktësuar vendin.