Celebrities Film & Tv

“Anatomy of a Scandal” dhe fakti që anamotikisht, askush prej këtyre personazheve nuk flet si qënie njerëzore. Kritikë.

S’kishte kohë më të mirë sesa kjo për një serial si “Anatomy of A Scandal“, një dramë bazuar në romanin e Sarah Vaughan, që ka në qëndër politikanë që e mendojnë veten mbi ligjin, dhe të privilegjuarit e verbër ndaj çdo gjëje që i rrethon. Është e vështirë të shkruash për të pa zbuluar historinë. Sidoqoftë, duke u përpjekur: Sienna Miller luan një ndër rolet kryesore, atë të Sophie Whitehouse, gruas lumturisht të martuar me ministrin më seksi të qeverisë aktuale britanike, kjo derisa jeta e saj kthehet përmbys nga një skandal rrënjët e të cilit janë të thella.

Dialogjet e filmit nuk janë aspak realiste – edhe pse ngjarja zhvillohet në ditët tona. Ato tingëllojnë si reklama vulgare të supermarketeve në radio.

“I dashur burrë ku je?” – e pyet ajo kur i shoqi nuk ka mbërritur akoma në një festë ku duhet të ishin të dy. “Nëse ardhmja nuk të ka ty brenda, Sophie Whitehouse, është e dhjerë” i thotë ai pak më vonë. Kjo sa për të ilustruar sa më lart. Qofsha gabim, sepse mbase kështu flasin rraca e lartë aristokrate. Në formë lineare historia shfletohet mes të shkuarës dhe të tashmes, në kohën kur Sophie dhe James, ai që më vonë do të bëhej bashkëshorti dhe babai i dy fëmijëve të saj, shkonin në Oxford. James në atë kohë, ishte po ashtu një nga atletët e dalluar të atij viti e po aq pjesë e një klubi më përmbajtje të lartë testosteroni – Libertine – aty ku shprehja ‘çunat janë çuna’ gjen vend plotësisht. Personazhet e serialit takohen shpesh në korridore gjysmë të ndriçuara aty ku vendosin për fatet e njëri-tjetrit në një serial i cili është diçka mes një drame gjyqësore dhe një thrilleri politik, e që përpiqet të ndrrojë kapelet shpesh nga episodi në episod. Momentet e fishekzjarreve nuk janë të pakta, por shumë nga kapsollat janë me barut të lagur që nuk ndez.

Personazhet e kësaj historie vijnë të gjithë me dollapet përkatës brënda të cilëve të gjithë fshehin fantazmat e së shkuarës. Me gjithë këtë klishe që ha bukë ende, personazhet kanë tendencën të duken si ato të kartonave të animuar, si skelete pa mish, vazo të boshatisura të cilat nuk të rrëmbejnë vëmendjen. Akoma më pak të ndihmon kamera, e cila lëviz në mënyrë kaotike si për simetri me kaosin e historisë por duke rrezikuar të të bëjë për të vjellë andej nga episodi i gjashtë.

Ekranizuar nga dora e realizuesit të historive të ngjashme të së ashtuquajturës ‘sërës së lartë oligarkike‘ dhe ‘patologjive‘ të tyre: David E Kelley (“Big Little Lies”, “The Undoing”) qasja e tij nga projekti në projekt vjen duke u bërë më e ftohtë dhe skematike, edhe pse në rastin e “Anatomy Of A Scandal” vjen i ndihmuar nga skenaristja e “The American” e “House of Cards”: Melissa James Gibson, diçka që [të paktën] në letër do duhet ta kish ndihmuar për të patur më shumë sukses.

Përtej kostumeve, dhe set-eve të këndshme (një nga skenat më të bukura është një dialog i dy bashkëshortëve, ku kamera bën një zoom fare të lehtë), Miller, Friend dhe Michelle Dockery (gjykatësja e cila merr përsipër çështjen e abuzimit) të gjithë mundohen të bëjnë maksimumin, për ta kthyer këtë show në një nga ata që i sheh në Netflix – kur paralelisht je duke ngrohur makaronat – apo kthyer ndonjë email të (pa)rëndësishëm. Të vjen keq që temat serioze  aktuale që trajtohen në roman – ato të pushtetit dhe manipulimit – nuk arrihen të eksplorohen me të njëjtin sukses edhe në serial.

Por ky është probjemi i jo pak prodhimeve të Netflix-t. Atëherë kur ti bëhesh gati të presësh zhvillimin e diçkaje për më shumë përmbajtje e dimensione, ata nxjerrin titrat, sepse, helbete fundi nuk ka aq rëndësi – aq sa fjalët që përshkruajnë serialin në galeri – ku veç atyre që janë duhet shtuar edhe – një thriller vulgar me një të papritur në fund.

…fundja jo gjithçka që fluturon, haet!