Bota

Asgjë konkrete në shkëmbimin e të burgosurve mes Moskës e Uashingtonit!

Rusia bën të ditur se ende janë duke u zhvilluar bisedime për një shkëmbim të mundshëm të të burgosurve mes Moskës dhe Uashingtonit, por nuk është arritur marrëveshje. Përmes një deklarate, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova u shpreh:

Ende nuk është arritur rezultat konkret!

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, bëri të ditur se administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, paraqiti “ofertë të gjerë” për të kthyer në shtëpi dy amerikanë që mbahen të burgosur në Rusi. Blinken iu tha gazetarëve se këtë çështje do ta diskutojë kur të bisedojë në telefon me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, javën e ardhshme. Për momentin, kryediplomati i Uashingtonit nuk jep asnjë detaj lidhur me përmbajtjen e ofertës dhe nuk dihet nëse Moska do “të joshet”, aq sa të ndryshojë mendim.

Planifikoj ta diskutoj këtë çështje që është prioritet për ne: lirimi i amerikanëve, Paul Whelan e Brittney Griner, të cilët mbahen në mënyrë të paligjshme. Ata duhet të lejohen që të kthehen në shtëpi.

Vazhdimisht, familjarët e të dy amerikanëve janë duke kërkuar nga administrata Biden të bëjë çdo përpjekje për kthimin e tyre.

Basketbollistja Griner, fituese e dy medaljeve olimpike, është duke u mbajtur në Rusi prej muajit shkurt, pasi gjatë një kontrolli, zyrtarët e sigurisë gjetën lëndë narkotike të llojit kanabis, në valixhen e saj. Kjo ndodhi teksa sportistja po kthehej në Amerikë, pas përfundimit të ndeshjeve në Rusi.

Ndërkohë, Whelan u dënua me 16 vjet burg në Rusi në vitin 2020, me akuzat për spiunim. Ai mohon çdo përfshirje. Në anën tjetër, prej vitesh Rusia ka shprehur interes për lirimin e Viktor Bout, një tregtar rus armësh, dikur i etiketuar si “tregtari i vdekjes”, i cili u dënua me 25 vjet burg në vitin 2012, me akuzat se kishte planifikuar të shiste ilegalisht armë që kapin shumën e disa miliona dollarëve.