Bota

“Bëni fëmijë në vend që të blini qen dhe mace…”/Papa Françesku vjen me një thirrje për çiftet e martuara!

Së fundmi, Papa Françesku në meshën e mbajtur pak ditë më parë ka inkurajuar të gjithë çiftet e martuara të mirëpresin fëmijë në jetën e tyre, nëpërmjet lindjes natyrale ose birësimit, në vend që të blejnë më shumë qen dhe mace. Papa u shpreh në Vatikan se:

Shumë çifte nuk kanë fëmijë sepse nuk duan, ose duan vetëm një dhe jo më shumë por kanë mace dhe qen që zënë vendin e fëmijëve. Ky mohim i amësisë dhe atësisë të pakëson, na merr njerëzimin.

Papa, u bëri apel institucioneve që të thjeshtojnë procedurën e birësimeve.

Të kesh fëmijë është plotësia e jetës së njeriut. Shpresoj që institucionet të jenë gjithmonë të gatshme për të ndihmuar në birësimin, duke e marrë seriozisht, por edhe duke thjeshtuar procesin e nevojshëm për realizimin e ëndrrës së shumë njerëzve që kanë nevojë për një familje dhe të shumë bashkëshortëve që duan të japin dashuri.

Ai tha se nuk mjafton që të lindësh një fëmijë për t’u quajtur baba apo nënë, duke theksuar vlerën e birësimit. Për Papën ne jetojmë në një epokë jetimore, qytetërimi ynë është pak jetim dhe kjo ndjehet. Rikujtojmë, se Papa Françesku ka bërë një deklaratë së fundmi që me siguri shumë “mëkatarëve” do t’u pëlqejë. Ai ka deklaruar se seksi jashtë martese nuk është mëkati më i madh.

Mëkatet e mishit nuk janë më të rëndat.

Sipas tij, mëkati më i madh është “krenaria dhe urrejtja”, deklaratë kjo që vjen pasi kryepeshkopi i Parisit, Michel Aupetit dha dorëheqjen javën e kaluar për një marrëdhënie me një grua.