Bota Tech

Biden: “Gjysma e makinave të shitura në Amerikë të kenë zero emetime deri në 2030”/Reagojnë Ford dhe General Motors!

Presidenti amerikan, Joe Biden dëshiron që gjysma e makinave të shitura në SHBA deri në vitin 2030 të jenë me zero emetime të gazrave. Kjo do të zvogëlojë emetimet e karbonit dhe do të rrisë konkurrencën përballë Kinës. Trafiku në vitin 2019 përbënte 29% të emetimeve në SHBA, ku shitjet e automjeteve elektrike mbetën prapa Evropës dhe Kinës.

Tre prodhuesit më të mëdhenj të makinave amerikane e mirëpritën qëllimin e ri, megjithëse nuk është ligjërisht i detyrueshëm. Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.2 gradë Celsius që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse asgjë nuk bëhet.

Administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump ka lehtësuar shumë rregullore mjedisore në SHBA dhe Biden dëshiron të bindë botën të mendojë seriozisht kur bëhet fjalë për luftimin e ndryshimeve klimatike. Duke reaguar ndaj njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, Ford, General Motors dhe Stellantis kanë shprehur dëshirën që 40 deri në 50% të shitjeve të tyre deri në vitin 2030 të jenë automjete elektrike.

Vitin e kaluar, vetëm rreth dy% e makinave të shitura në SHBA ishin elektrike, krahasuar me rreth 10% në Evropë, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë. Shumica janë makina të Teslas, të cilat raportuan rritje të madhe të fitimit muajin e kaluar.

Së fundmi, Amazon.com duket se është shumë pranë nisjes së prodhimit të veturave elektrike të mbështetura nga, Rivian Automotive. Kompania është në bisedime me ministrat britanikë për ndërtimin e një fabrike në Angli, ku kjo e fundit do ta mbështesë me një paketë të madhe financiare.

Kompania, e cila gjithashtu mbështetet nga Ford Motor, ka qenë në negociata me qeverinë britanike për javë të tëra në lidhje me ndërtimin e një fabrike pranë Bristol, sipas Sky News.

Ju rikujtojmë, se kompania japoneze e automjeteve “Toyota Motor” ka shitur 5,47 milionë automjete në nivel global në gjashtë muajt e parë të vitit 2021. Në deklaratën nga “Toyota” u publikuan të dhënat e kompanisë për periudhën janar-qershor të këtij viti.