Aktualitet Politikë

Debate të forta në Kuvend, shkak procedura e përshpejtuar për Portin e Durrësit!

Projekti i Portit të Durrësit solli debate në Kuvend ku kryeministri Rama, iu dretjua opozitës me gjuhë të ashpër.  Projektin e cilësoi investim të paimagjinuar ndonjëherë për Shqipërinë dhe sipas tij, “opozita e shitur” sulmon pasi ka marrë para ruse’. Debati nisi pasi kreu i grupit demokrat, Enkelejd Alibeaj kërkoi që para miratimit me shpejtësi në Parlament, fillimisht të bëhej transparencë për nenet, ndërsa Rama mbrojti kontratën.

Me çfarë kuraje çohesh këtu edhe hedh gjithë këtë baltë mbi një personalitet, të ekonomisë globale përfaqësues i një prej kompanive më të mëdha të botës, që vjen në Shqipëri si rezultat i një marrëdhënieje strategjike, prej së cilës po ndërtohen në Spitallë, 2 mijë apartamente dhe vjen një investim që nuk është bërë e imagjinuar ndonjëherë, që e transformon Durrësin në një nga pikat më të rëndësishme turistike në Mesdhe.  Këtu u fut thjesht me procedurë të përshpejtuar një projektligj. Ne nuk kemi kohë për të humbur. Kemi më shumë se një vit që e negociojmë këtë kontratë.

Deputetit demokrat Dash Sula, i cili i thonte turp të kesh, Rama i tha:

Ju jeni ca të mbaruar, ca të pafytyrë. Ju nuk keni as fe, as atdhe, jeni pa din e pa iman, ja këta jeni ju!  Akuzoni për aferë një prej investitorëve më të mëdhenj! Ju jeni paguar me para’ ruse për të rrëzuar qeverinë e vendit tuaj. Jeni ca bedelë, që s’keni as sy për të parë e vesh për të dëgjuar.

Opozita iu përgjigj Ramës. Enkelejd Alibeaj:

Unë i kërkova një gjë të thjeshtë, nxirr letrat, bëj transparencë! Ju nuk e patët guximin kryetare që ndërsa nxirrte fjalorin që ndynte këtë Parlament, këto fjalë ju vënë në pozicionin që t’i tërhiqni vëmendjen se në Kodin e Etikës është gjuhë joparlamentare që kërkon sanksionim. Më mbetet vetëm të nënqesh por duhet të shpreheni tani. Nuk keni për të dëgjuar nga ne asnjë fyerje apo etiketim.

Jorida Tabaku:

Sa herë shthuret gjuha, sa herë përdoret ky fjalor, dihet se po mbrohet një aferë. Sa herë rritet krimi, droga… Ju kujtohet droga me avionë?  Kjo gjuhë tregon nivelin e politikbërjes se kësaj qeverie dhe këtij kryeministri. Tregon edhe këtë mënyrën e vjetër të politikës që ka kapur për fyti, që ka kapur parlamentin, politikën, llumin ku është politika shqiptare. Nuk e kam lexuar dokumentin e Portit të Durrësit, se po luftojmë për transparencë, ky sulm nuk mund të justifikohet me asgjë. E njëjta gjuhë u përdor edhe për inceneratorin e Elbasanit, një ish-deputet i PS-së është rikthyer në qeli sot. Kjo gjuhë shpjegohet vetëm pas asaj që po ndodh pas dyerve të SPAK-ut.