Aktualitet

Alqi Bllako rikthehet në qeli, pranga në sallën e gjyqit!

Vetëm 34 ditë liri dhe Alqi Bllako rikthehet në qeli, me vendim të Apelit të GJKKO-së, pas ankimit nga SPAK-u. Për ish-deputetin socialist i akuzuar lidhur me aferën e inceneratorëve, sot u vendos “Arrest me burg” dhe u arrestua në sallën e gjyqit. Vendimi pason atë të 6 tetorit, kur GJKKO i zbuti masën e sigurisë nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie”.

Për kohën kur përfaqësonte nivelin më të lartë të  nëpunësit civil në Ministrinë e Mjedisit, Bllako dyshohet për korrupsion pasi SPAK këmbëngul se ai jo vetëm u implikua gjatë procedurave për inceneratorin, por dhe firmosi shkresa që tjetërsuan truallin në Fier.

Gjithashtu, babai i tij u punësua si drejtor i këtij kantieri që Prokuroria e Posaçme e konsideron një formë korrupsioni të sofistikuar. Gjatë seancës së fundit gjyqësore të mbajtur në maj të këtij viti, ai këmbënguli në të njëjtin version të pohuar më herët për pafajësi, moskompetencë për të firmosur shkresa dhe se nuk kishte asnjë mundësi ndikimi për vendimmarrjen për inceneratorin,  pasi në atë kohë, siç tha, “ka qenë i punësuar në Presidencë”.

Alqi Bllako gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se nuk ka firmosur shkresa të tilla, pasi vuri në dukje se nuk e ka pasur në kompetencë. Ish-deputeti u vendos edhe nën hetim pasuror ashtu sikurse ish-eprori i tij Lefter Koka. Ish-ministri i Mjedisit pret në paraburgim mbylljen e hetimeve. Edhe ai ka dorëzuar shkresa me kërkesën për të lënë qelinë.

SPAK-u e akuzon Lefter Kokën për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, duke përfituar 3.7 milion euro lidhur me dosjen e inceneratorit të Elbasanit. Me provat e deritanishme, gjithashtu hetuesit kanë arritur të faktojnë se ish-ministri Koka ka përfituar në mënyrë të paligjshme edhe nga inceneratori i Fierit, në vlerën 1.2 milion euro. Sipas SPAK-ut, në total janë rreth 5 milion euro nga të dy inceneratorët.