Rajoni

Dhuna ndaj një 3-vjeçari në një çerdhe në Fushë-Kosovë, policia merr në pyetje edukatoret!

Dyshimet për dhunë fizike ndaj një fëmije vetëm 3 vjeç në një çerdhe shtetërore të Fushë Kosovës, policia e Kosovës nis hetimet dhe merr në pyetje tre edukatore. Në polici dha dëshminë edhe babai i të miturit të dhunuar.   Më herët, familjarët e vogëlushit publikuan në rrjetet sociale pamje nga kamerat e sigurisë në çerdhen “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë ku shfaqen edukatoret duke ushtruar dhunë ndaj fëmijës.

Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Fatlum Berisha, iu tha mediave se edukatoret që dyshohet të jenë përfshirë në këtë rast do të pezullohen nga puna pasi të përfundojnë marrjen në pyetje në polici.

Për hapat në vazhdim ne do të kemi bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente të cilat merren me këtë çështje. Policia e Kosovës ka bërë ftesën në drejtim të edukatoreve, të cilat pretendohet se janë të përfshira në këtë rast.

Policia ishte këtu prezent.  Ne i ndihmuam në çdo moment e kanë sekuestruar edhe pajisjet e kamerave. Për hapat në vazhdim do të jemi në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin e Ministrisë së Arsimi. Ligji është i barabartë për të gjithë, pavarësisht se kush është i përfshirë. Në momentin që ne kemi vendim final dhe cilësohet si fajtor, masat do të jenë konform ligjit.

Për këtë ngjarje të rëndë reagoi edhe Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF).

Nisur nga kjo ngjarje e rëndë, KOMF bën thirrje që në përmbushje të mandatit të tyre, institucionet përgjegjëse të ndërmarrin menjëherë veprimet dhe masat e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.

Po ashtu, KOMF iu bëri thirrje institucioneve që të intensifikojnë monitorimin dhe inspektimin e institucioneve parashkollore në Kosovë, në mënyrë që të parandalohen raste të tilla.

Ky koalicion rikujtoi se sipas ligjit “Për mbrojtjen e fëmijëve”, si dhe ligjeve të tjera është e ndaluar çdo formë e dhunës ndaj fëmijëve, përfshirë ajo fizike, psikologjike dhe neglizhenca ndaj të miturve.

Referuar familjarëve që kanë publikuar pamjet, 3-vjeçari është rrahur nga dy edukatore, si dhe pretendojnë se në rastin e dhunës janë përfshirë edhe sanitarja e kuzhinierja e këtij institucioni. Po ashtu, ata raportojnë me shumë shqetësim se fëmija po përjeton “trauma të rënda psikike, nuk mund të flejë më dhe po përjeton ankth të madh”.