Bota

Donald Trump: Të martën do të më arrestojnë!

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tha se pret të arrestohet të martën më 21 mars, sipas tij, bazuar në një rast të trajtuar nga Zyra e Prokurorit në qarkun e Manhatanit. Këtë deklaratë e bëri sot në rrjetin social, Truth Social.

Kandidati favorit i republikanëve dhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të arrestohet të martën e javës së ardhshme. Protestoni, rikthejeni kombin tonë!

Sipas raportimeve në mediat amerikane, hetimet në këtë gjykatë kanë për bazë një pagesë prej 130 mijë dollarësh që rezulton të jetë kryer disa javë para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Qëllimi ishte për të mos lejuar Stormy Daniels me emrin e vërtetë Stephanie Clifford, që të tregonte publikisht për një aferë me Trump-in, disa vite më parë.

Prokurorët janë duke shqyrtuar nëse do ta akuzojnë manjatin lidhur me këtë rast. Nëse prokurori i gjykatës së qarkut Manhatan e padit Trumpin, atëherë 76-vjeçari do të bëhet i pari ish-president amerikan që akuzohet penalisht.

Një avokat i ish-shefit të Shtëpisë së Bardhë i tha rrjetit CNBC se klienti i tij do të dorëzohet për t’u përballur me akuzat, nëse paditet.

Vazhdimisht, Trump i ka hedhur poshtë si të pavërteta zërat e akuzat se ka qenë i përfshirë me Daniels, e njohur si aktore e regjisore e filmave pornografikë dhe ish-striptiste.

Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit për qarkun e Manhatanit, shmangu komentet lidhur me çështjen në fjalë.

Vitin e kaluar, 76 vjeçari Donald Trump njoftoi se do të kandidojë me synimin për t’u bërë president i Shteteve të Bashkuara, për një mandat të dytë në vitin 2024, çka mbetet të shihet me telashet e reja që po kalon. Ndërkohë, ende nuk ka larguar nga shpatullat “njollën” që e lidh me trazirat e janarit 2021 në Kongresin Amerikan kur mbështetës të tij sulmuan ndërtesën e shkaktuan viktima të pafajshme, për të mos lejuar njohjen e Joe Bidenit si fitues të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2020 që u fituan nga demokrati. Trump nuk e njohu humbjen.