Auto & Moto

“Dorëzohet” Tesla, ul çmimet e modeleve të saj në mbarë botën!

Tesla ka ulur çmimet e tre prej pesë modeleve të saj në SHBA, e më pas vazhdoi me uljen e çmimeve në mbarë globin, duke përfshirë edhe Kinën dhe Gjermaninë. Ky hap nga kompania vjen pasi ajo po përballet me rënie të shitjeve dhe ndodhet në luftë të intensifikuar me shitjen e automjeteve elektrike. Bëhet e ditur se kompania e Elon Musk ka ulur çmimet e Modeleve Y, X dhe S.

Tashmë Modeli Y në SHBA kushton 42,990 dollarë, Modeli S 72,990 dollarë dhe Modeli X 77,990 dollarë. Gjithashtu, Tesla ka ulur edhe çmimin e softuerit “Full Self-Driving” nga 12 mijë në 8 mijë dollarë. Ndërkohë, në Gjermani çmimi i Modelit 3 është ulur në 40 mijë euro nga 42 mijë sa ka qenë. Ulje çmimesh ka pasur edhe në vende tjera evropiane, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë.

Kompania e Musk ka njoftuar edhe për shkurtimin e 10% të stafit global të saj. Këto veprime thuhet se i kanë dhënë fund një jave kaotike që përfshinte tërheqjen e të gjithë Cybertrucks, shkaku i një defekti në pedalin e gazit. Kompania ka njoftuar se shitjet e saj në mbarë botën kanë rënë ndjeshëm pasi konkurrenca është rritur dhe shitja e automjeteve elektrike është ngadalësuar.

Aksionet e Tesla ranë me 5.7% në fillim të tregtimit, duke iu shtuar humbjes së vlerës prej thuajse 30% të regjistruar këtë vit. Tesla dërgoi rreth 386.810 makina në tre muaj deri më 31 mars, në rënie prej 20.2% krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Në periudhën e analizuar, Tesla prodhoi 433.371 makina. Sipas 18 analistëve të anketuar nga Visible Alpha, Wall Street priste që Tesla të dërgonte mesatarisht 454.200 automjete.

Ndërkaq, Tesla po kërkon sërish t’i japë shefit Elon Musk marrëveshjen më të madhe të pagave në historinë e korporatave amerikane, me vlerë 56 miliardë dollarë. Kompania e automjeteve elektrike (EV) po u kërkon aksionarëve të votojnë për pagën rekorde të CEO-t të saj, të vendosur për vitin 2018. Megjithatë, marrëveshja u refuzua në janar nga një gjykatës amerikan i cili e përshkroi atë si “një shumë të pamatur”. Kjo vjen vetëm disa ditë pasi Musk njoftoi planet për të shkurtuar më shumë se 10% të fuqisë së tij punëtore globale.