Aktualitet

Dosja “21 Janari”/ Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit thirret në SPAK!

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj është thirrur sot (23 tetor) në Prokurorinë e Posaçme për dosjen e 21 janarit.

Në një prononcim për mediat, Burgaj deklaroi se ka dhënë sqarime si person që ka dijeni, ndërsa thekson se ai ka zbatuar vetëm urdhrat.

Burgaj: Dhashë sqarime si person qe ka dijeni. Kam zbatuar ligjin. I kam zbatuar urdhrat” ka thënë ai për gazetarët pasi doli nga SPAK. Policia e Shtetit ka bërë një plan të detajuar masash, kemi zbatuar ligjin, nuk ka përdor as armë dhe as dhunë ndaj protestuesve.

Kujtojmë që në korrik, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar procedimin penal për dosjen e 21 janarit, ku gjatë protestës së asaj kohe u vranë 4 qytetarë të pafajshëm.

Procedimi ka nisur për vrasjen e Aleks Nikës si dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.

Më 21 Janar 2011 u vranë nga Garda e Republikës 4 protestues të opozitës në bulevard dhe jashtë rrethimit të Kryeministrisë. Pavarësisht arrestimeve të vonuara, hetimit dhe procesit gjyqësor, të pandehurit morën pafajësi, ose u liruan me dënim shumë të ulët nga ai i kërkuar nga organi i akuzës.

Të pandehur kanë qenë gardisti Agim Llupo, për vrasjen e Ziver Veizit, dhe Hekuran Dedës, si dhe Ndrea Prendi, ish-komandanti i Gardës. Pa zbardhur dhe në proces hetimi është vrasja e Aleks Nikës, teksa një prej viktimave ishte edhe Faik Myrtaj.