Celebrities Showbiz

E konfirmon vetë ikona e muzikës Britney Spears se së shpejti do të kemi në duar librin e saj!

Britney Spears thuhet se është duke punuar për të sjellë muzikë të re pas një pushimi gjashtë vjeçar, pas publikimit të albumit të saj të fundit “Glory” në vitin 2016 por jo vetëm kaq sepse para pak javësh u bë e ditur gjithashtu se ajo do të shkruante një rrëfim për jetën e saj. Me sa duket kjo gjë do të bëhet realitet sepse vetë Britney ka konfirmuar zyrtarisht se është duke shkruar një libër.

Spears, 40 vjeçe, njoftoi planet e saj të librit të ri nëpërmjet një postimi të gjatë në rrjetin social Instagram ditën e djeshme ku ajo e quajti shkrimin e projektit “shërues dhe terapi”.Vetë këngëtarja kishte shkruar:

Dua t’i drejtohem postimit tim të fundit për të kaluarën time, për të kuptuarit tim, për shumicën është konfuze, pse të shprehemi tani? Epo, unë jam duke shkruar një libër për momentin dhe pasi është në të vërtetë shërues dhe terapi në të njëjtën kohë, është gjithashtu e vështirë të përmend ngjarjet e së shkuarës në jetën time. Unë kurrë nuk kam qenë në gjendje të shprehem hapur!

Në muajin shkurt, Page Six raportoi se këngëtarja e njohur ka nënshkruar një marrëveshje me vlerë 15 milionë dollarë për të drejtat e publikimit të librit të saj autobiografik. Burime pranë botuesve thonë se Spears, ka arritur një marrëveshje historike me shtëpinë botuese “Simon & Schuster” për librin e saj rreth karrierës, jetës së vështirë dhe marrëdhënieve toksike me familjen e saj problematike.

Marrëveshja vjen pas shumë ofertash nga botues të ndryshëm për librin e saj. Sipas një burimi të brendshëm kjo është një nga marrëveshjet më të mëdha të të gjitha kohërave, pas Obama-ve. Të drejtat për librat e Barack dhe Michelle Obama-s u shitën në vitin 2017, me shumën që thuhet se i kalonte 60 milionë dollarë, shifra kjo më e madhe e njohur ndonjëherë për botimet. Më parë, edhe ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton kishte arritur një marrëveshje prej 15 milionë dollarësh për librin e tij post-presidencial “My Life” në vitin 2001.

Britney tha gjithashtu se ajo do të merrte ‘qasjen intelektuale’ që i bëri ish i dashuri i saj Justin Timberlake kur ai i kërkoi falje asaj dhe Janet Jackson vitin e kaluar, shkruan DailyMail.