Tech

Elon Musk ndryshon logon e Twitter-it!

Së fundmi rrjeti social Twitter ka ndërruar logon në web-faqe por edhe në versionin mobil, duke i vendosur “një meme Doge”, ikonën që përdoret nga Dogecoin, kriptovalutë e njohur si “memecoin”. Ky ndryshim u vu re menjëherë nga përdoruesit. Pak kohë më parë Musk kishte premtuar se do t’ia ndryshonte logon Twitterit, të cilin e bleu vitin e kaluar për një shumë marramendëse.

Në një postim të bërë pak orë më parë, miliarderi amerikan tha se e mbajti premtimin. Në anën tjetër, blerja e Twitterit nga Musk bëri një bujë të madhe mediatike. Ndërkaq, Twitter ka njoftuar tashmë se ata do të fillojnë të heqin shenjën blu nga llogaritë e verifikuara që nuk janë regjistruar për një abonim në Twitter Blue.

Elon Musk mori vendimin që të vendoste një tarifë mujore prej tetë dollarësh për njerëzit që duan të marrin shenjën blu të verifikimit pranë emrave të tyre në Twitter. Personat e famshëm priren të kenë llogari të verifikuara, por është e dyshimtë nëse ata do të vendosin të paguajnë për të mbajtur shenjën blu. Disa përdorues të njohur kanë deklaruar tashmë se nuk janë të gatshëm të paguajnë që llogaria e tyre të verifikohet.