Bota link in bio Tech

Elon Musk nuk ndalet, tjetër mision hapësinor…

Kompania me mision hapësinor e Elon Muskut, SpaceX lançoi në hapësirë edhe 21 satelitë të Starlinkut. Nisja e këtyre satelitëve ishte përgatitur të bëhej nga mesi i dhjetorit, por që nuk u realizua dot. Por, ajo që është e veçanta e këtij lansimi të fundit është se në mesin e 21 satelitëve të Starlinkut, gjashtë prej tyre do të ofrojnë për operatorët shërbime celulare. SpaceX tha në një deklaratë se satelitët do t’ju mundësojnë operatorëve të rrjetit celular në mbarë botën të ofrojnë akses global të pandërprerë në mesazhe, telefonata dhe shfletim, kudo, përfshirë në tokë, liqene ose ujëra bregdetare.“Kjo do të ofrojë lidhjen e shërbimeve celulare kudo në Tokë. Kështu që kjo është një zgjidhje e shkëlqyeshme për vendndodhjet pa lidhje celulare, megjithatë nuk do të thotë se është konkurruese me rrjetet celulare ekzistuese tokësore”, shkroi Musk në X.

Rikujtojmë se vetëm pak ditë më parë, Elon Musk ka komentuar në rrjetin e tij X (dikur Twitter) pas publikimit të hetimeve mbi incidentin kur një inxhinier e fabrikës Tesla ‘u sulmua’ nga një robot i kompanisë në impjantin Giga Texas, në SHBA.Hetimet treguan se burri ishte mbajtur i shtrirë përtokë nga roboti i fuqishëm në fabrikën pranë Austin para se ai ta shtrëngonte me kthetrat e metalta duke lënë një rrjedhë gjaku prapa. Incidenti i rëndë i vitit 2021 kishte dy dëshmitarë dhe i shtohet tmerrit të konfliktit të inteligjencës artificiale me njeriun. Megjitha bota u shokua nga ngjarja, Musk tha se nuk i duhet dhënë rëndësi lajmeve: “Gjynah që media gërmon një incident të dy viteve më parë me një robot të thjeshtë industrial Kuka, të cilët tashmë janë zëvendësuar me robotët Optimus.”

Në një tjetër postim ku publiku krahasonte ngjarjen me një pjesë nga filmi ‘Terminator’ komentet thonin: “Ja si e përshkruajnë ‘mediat e mëdha’ sulmin e robotit ndaj inxhinierit të Giga Texas 2 vjet më parë.” Në përgjigje të kësaj Musk kishte vendosur një simbol të qeshurash.Në kopjen e dokumentit për incidentin e Tesla në 2021 thuhej se punonjësi kishte pësuar “çarje dhe një plagë të hapur nga roboti agresiv” por nuk kishte pasur nevojë për ditë pushimi për t’u rikuperuar.Por dy dëshmitarët e ngjarjes së frikshme thanë se inxhinieri duhet të luftonte për të shpëtuar nga kapja e makinerisë inteligjente, derisa dikush shtypi butonin e ndalimit të emergjencës të robotit. Vetëm atëherë inxhinieri u çlirua nga kapja e robotit që duhej vetëm të mblidhte mbetje metalesh, sipas rrjetit ‘The Information’.