Aktualitet

ERE vendim për fashën mbi 800 kW, Balluku: Rriten apo jo, vendim i qeverisë!

Nga 1 nëntori, çdo familje që në muaj konsumon më tepër se 800 kW energji elektrike, pjesën e harxhuar mbi këtë fashë do ta paguajë me çmimin e ri, 42 lekë për kilovat/orë. Lajmin e dha Enti Rregullator i Energjisë. Por, vendimi është subjekt rishikimi në çdo moment kur të shihet një ndryshim situate.

Ndërkohë, për fashën nën 800 kW, çmimi do të vijojë të jetë 9.5 lekë kilovati. Nga kjo masë e marrë për kursimin e energjisë nuk preket biznesi i vogël, i cili do të vijojë ta paguajë energjinë me çmimin aktual, pra fasha mbrojtëse.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri një sqarim:

ERE miraton çmimet, aplikimi nëse do të rritet apo jo, i përket qeverisë. Siç ndodhi në muajin shtator, por edhe në tetor, ne jemi duke pritur të gjitha të dhënat sa i përket konsumit, i cili është ulur. Shqiptarët kanë konsumuar 5% më pak se tetori i vitit 2021. Në javën e parë të nëntorit, presim reshje në zonën e kaskadës së Drinit, çka do të sillte që qeveria të mos e aplikojë fashën 800 kW.

Fasha 800 kW nuk është rritje e çmimit, është përfundimi i mburojës për të gjithë shqiptarët. Ne mbulojmë 1 milion e 90 mijë familje nga rritja e çmimit. Nëntori është muaji i 14-të që qeveria shqiptare kompenson çdo abonent familjar sa i përket energjisë.

Çmimi i energjisë nuk ka ndryshuar, është 9.5 lekë ashtu siç ka qenë edhe kur megavati për orë ishte 32 lekë, ndërsa sot shitet me 390 euro dhe në ato ditët kur çmimet çmenden thjesht për një deklaratë të Putinit, arrijnë deri në 1040 euro, por askush nuk e ka ndjerë nga qytetarët se qeveria i ka mbrojtur.

Fasha 800 ka të bëjë vetëm për ata që kanë konsum më të lartë. Qeveria nuk mund të mbrojë konsumin e luksit. Qeveria mbron të gjithë qytetarët për konsumin e nevojshëm të çdo familjeje.

ERE ka nxjerrë një vendim nëse fasha 800 do të vendoset për muajin nëntor. Por nëse vendoset, ne do ta analizojmë, ashtu siç bëmë në fund të muajit shtator, bazuar në konsumin e përgjithshëm, në fuqinë prodhuese të kaskadës së Drinit dhe çmimet e  importit që ndikohen nga situata gjeopolitike.