Aktualitet

Fasha e energjisë mbi 800 kWh, Rama: Nuk është hequr, u shty!

Një ditë pas vendimit që çmimet e reja të energjisë për mbi 800 kWh të mos hynin në fuqi në këtë fillim tetori, kryeministri Rama deklaroi sot se “fasha do të vendoset në nëntor, duke patur parasysh parametrat” ose siç tha “do i rikthehemi diskutimit, në bazë të parametrave”. Në një bashkëbisedim online me qytetarë, vuri në dukje se “nëse trendi i kursimit e reshjet vijojnë”, tetorin do ta kalojmë pa të papritura.

Patëm dy elementë që na kanë ndihmuar ta shtyjmë, jo të heqim dorë nga vendosja e fashës 800 kWH. Elementi i parë janë reshjet. Kemi pasur reshje që kanë shtuar, edhe pse jo në mënyrë të konsiderueshme, nivelin në HEC-e, konkretisht në Fierzë ku është edhe burimi kryesor i prodhimit të energjisë.

Po ashtu pati një trend kursimi që ka bërë që nevoja për energji të jetë shumë më e ulët se parashikimi. Ne këtë nevojë mund të vazhdojmë ta përballojmë pa pasur kërcënim në aspektin financiar. Nëse trendi i kursimit dhe reshjet do të vazhdojnë, ne do ta kalojmë pa asnjë të papritur tetorin. Në muajin nëntor do të vendoset fasha duke pasur parasysh parametrat, ose do t’i kthehemi diskutimit sërish.

Shefi i qeverisë theksoi se “të ardhurat nga energjia elektrike do të përdoren për të mbrojtur qytetarët”. Rama informoi se nga rinegociimi i kontratave me HEC-et private, shtetit i janë kursyer 300 milion euro në vit.

Sot do ta çonin shpenzimin e buxhetit në pikën ku do të kishim një hap larg nga dhëmbët e falimentimit të shtetit. Duke qenë se ne i rinegociuam ato kontrata, vendosëm tavan edhe përballë investitorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë të vendeve të tyre, ne kemi shumë më pak detyrime ndaj tyre dhe kemi një përfitim shumë të madh, 300 milionë euro të kursyera në vit.

Po ashtu, në komunikimin online tha se “me buxhetin e ri, për zjarrfikësit do të ketë sërish rritje rrogash, sikundër edhe për mësuesit, mjekët e infermierët”.

Ka pakënaqësi për rritjen e pagës për zjarrfikësit. Është e vërtetë që është një rritje, e cila as nuk i përgjigjet në fakt kërkesës së bërë prej tyre me të drejtë dhe as nuk i përgjigjet objektivit tonë sepse është një rritje për këtë tremujor.  Jam absolutisht dakord me të gjithë punonjësit zjarrfikës e familjet e tyre, me këtë shprehje pakënaqësie. Ky është vetëm hapi i parë në këtë fundvit për të filluar me të gjitha kategoritë e tjera për të cilat rrisim pagat menjëherë me buxhetin e ri. Ashtu si do të parashikojmë një tjetër rritje për të vazhduar të përballojmë inflacionin e luftës për pensionistët, do kemi rritje për zjarrfikësit, mësuesit, mjekët e infermierët, siç e kemi në programin tonë rritjen e përvitshme.