Politikë

Financim rus në PD, Rama: PS e denoncoi, Berisha e mbrojti Bashën

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka rezistuar me sukses ndaj sulmeve kibernetike dhe agresioni ka dështuar në qëllimin e tij, që ishte kthimi në vitin “0” i sistemeve dixhitale të vendit.

Kryeministri Rama zhvilloi sot një komunikim në mediat sociale me qytetarët si dhe me gazetarët online për të folur mbi tematikat e ndryshme të aktualitetit.

Duke u ndalur te sulmet e fundit kibernetike ndaj vendit tonë, Rama informoi se “ky është një shqetësim i madh i ri, ndërkohë që ne kemi sulme të vazhdueshme kibernetike prej shumë vitesh, por të një shkalle të ulët për nga pikëpamja e aftësisë dhe shpejtësisë së penetrimit”.

“Gjithë këto flukse sulmesh të regjistruara nga institucioni që koordinon të gjithë projektin e revolucionit dixhital kanë qenë sulme të pasuksesshme përgjithësisht. Ndërkohë që ky është një agresion i mirëfilltë luftarak në botën e internetit dhe gjithë sistemeve dixhitale. Një agresion i egër që ka pasur një qëllim shumë të qartë, zhdukjen përfundimtare të të gjitha të dhënave dhe shkatërrimin pa kthim të të gjithë sistemeve duke lënë një tokë të djegur prapa”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “ky është konkluzioni i ekspertëve që na kanë mbështetur në këtë përpjekje të përbashkët dhe zotërojnë edhe njohurinë më të madhe sot, ekspertët e Microsoft, superskuadra e tyre e ndërtuar enkas kundër kërcënimeve të natyrës kibernetike dhe ekspertët e SHBA-së”.

Rama tha se sulmi nuk e ka arritur qëllimin dhe dëmet janë shumë më të lehta se sa shkalla e agresivitetit.

“Praktikisht sistemet janë kthyer në punë, të dhënat janë krejtësisht irelevante për sa i përket sensitivitetit të tyre. Një pjesë e tyre janë publikuar, bëhet fjalë për vendime qeverie, shkresa që qarkullojnë në rrjetin e brendshëm dhe që mund të merren me një kërkesë të thjeshtë. Nuk janë dokumente sekrete apo të fshehta”, tha Kryeministri.

Ai shtoi se është synuar përhapja e panikut, dezinformimit dhe teorive të konspiracionit që krijojnë sekëlldi në publik.

“Patjetër që kjo luftë vazhdon dhe ne jemi në kushtet kur duhet të përballemi nga njëra anë me sulme të tjera të mundshme dhe domosdoshmërinë për të rritur në një nivel tjetër sigurinë kibernetike”, tha ai.

“Në kushtet kur ne sulmohemi për herë të parë ka shumë konfuzion dhe një keqkuptim të madh që pengohet të shikohet e vërteta. Por ne kemi rezistuar me sukses ndaj sulmit dhe po të shihni raportin e bërë nga ekspertiza më e lartë ndërkombëtare që ekziston sot në frontin e luftës kibernetike, e Microsoft dhe agjencive të specializuara të SHBA-së, agresioni ka dështuar. Sulmi nuk i ka arritur qëllimet. Ka qenë i një natyre që mund të kishte zhdukur gjithçka. Të na kthente mbrapa në vitin ‘0’ të sistemeve tona dixhitale. Nuk ka ndodhur”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “sistemet tona janë ngritur me shpejtësi dhe ky është sukses”.

“Sistemet tona kanë rezistuar dhe tani ne kemi plan të përshpejtojmë projektin tonë të ngrehinës së mbrojtjes kibernetike. E kemi nisur por kërkon financim intensiv ndaj e kishim shtrirë në kohë dhe tani kemi shkurtuar kohën e financimit”, shtoi Rama.