Bota

Fotografia që po bëhet virale, lumturia e vajzës afgane pasi largohet nga vendi i saj i lindjes!

Së fundmi është bërë virale një fotografi prekëse e një vajze të vogël afgane në momentet e para që preku tokën në një aeroport belg pasi ishte evakuuar nga vendi i saj i lindjes. Sipas mediave të huaja, fotografia është bërë në aeroportin ushtarak Melsbroek pranë Brukselit ditën e mërkurë. Ka qenë ish-kryeministri belg, Guy Verhofstadt, një nga ata të shumtët që ka shpërnarë foton në Twitter. Verhofstadt shkroi:

Kjo është ajo që ndodh kur mbroni refugjatët… Mirëse erdhe në Belgjikë, vogëlushe!

Siç tregojnë dhe mediat, vajza e vogël dhe familja e saj ishin në mesin e një grupi prej rreth 1,400 personash të cilët Belgjika i evakuoi nga Kabuli pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga Afganistani. Ndërkohë Belgjika pezulloi evakuimet pasi burimet e inteligjencës paralajmëruan për një sulm terrorist të afërt në aeroportin e Kabulit. Këto paralajmërime u bënë të enjten pak para se një bombë të shpërthente jashtë Portës Abbey në aeroportin e Kabulit, duke vrarë të paktën 60 afganë dhe 12 pjesëtarë të shërbimit amerikan.

Rikujtojmë se, G7 është në kërkim të mundësive për vazhdimin e evakuimit edhe pas datës 31 gusht, pasi rrezikojnë të mos arrijnë t’i nxjerrin të gjithë të kërcënuarit nga Afganistani. Aleatët evropianë në Londër, Paris dhe Berlin po bëjnë presion për shtyrjen e afatit të tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani, sepse kjo është mënyra e vetme për të vazhduar operacionin e evakuimit. Ende me mijëra njerëz janë në pritje të largohen nga vendi, pas ardhjes në pushtet të talebanëve. Islamistët militantë, të cilët tani kontrollojnë pothuajse të gjitha pjesët e vendit dhe kryeqytetin Kabul, kanë deklaruar se nuk do të lejonin praninë e trupave amerikanë përtej datës 31 Gusht.