Rajoni

Greqi, zjarr i madh në ishullin Samos!

Një zjarr i madh pyjor në ishullin grek të Samosit u rindez për të dytën ditë radhazi sot, pasi zjarrfikësit dhe vullnetarët luftuan me flakët gjatë gjithë natës, edhe përmes ndërhyrjeve nga ajri. “Në mëngjes, helikopterët dhe avionët zjarrfikës rifilluan punën e tyre”. Këtë e njoftoi më herët gjatë ditës, brigada e zjarrfikësve.

Ushtria dhe punonjës në varësi të pushtetit vendor në zonën ku konstatohen vatrat, po japin mbështetje me pajisje dhe cisterna uji. Kujtojmë se një ditë më parë, një helikopter u rrëzua në det gjatë operacioneve për vënien nën kontroll dhe shuarjen e flakëve të zjarrit, duke bërë që këto operacione të shënohen nga tragjedia.

Dy nga katër pasagjerët humbën jetën në aksident. “Ata ishin një rumun dhe një grek”, siç njoftoi transmetuesi shtetëror grek, ERT. Krahas temperaturave të larta, edhe erërat e forta po vështirësojnë punën e zjarrfikësve. Greqia fqinje është mes vendeve që përballen me emergjencën e zjarreve, thuajse në çdo sezon veror, ndërsa e njëjta emergjencë vlen edhe për vendin tonë ku aktualisht ka një shqetësim për zjarrin që vijon prej katër ditësh në malin e Çikës.