Bota

Greva e kompanisë Lufthansa, anulon mijëra fluturime!

Më shumë se 1 mijë fluturime të Lufthansa-s u anuluan sot për shkak të grevës së punonjësve të kompanisë ajrore gjermane. Ky vendim i stafit ka prekur qindra mijëra pasagjerë, ndërsa kriza e udhëtimeve vazhdon të thellohet në Europë, tani që lëvizjet janë rikthyer në nivelet e 2019-ës, vitit para pandemisë koronavirus. Rreth 134 mijë pasagjerë u detyruan të ndryshojnë planet për udhëtime apo edhe t’i anulojnë ato.

Më së shumti preken ndalesat e kompanisë Lufthansa në aeroportet e Frankfurtit e Mynihut, si edhe në të tjera qytete gjermane: Dyseldorf, Hamburg, Berlin, Bremen, Hanover, Shtutgart e Këln.

Kompania u sugjeroi pasagjerëve të mos shkojnë në aeroporte, pasi për shumicën e shërbimeve nuk ka staf. Në orët e para të mëngjesit, terminalet ishin thuajse bosh, por më vonë gjatë ditës, njerëzit tentuan të gjejnë zëvendësime për fluturimet e anuluara.

Shumë pasagjerë kanë shkuar në Gjermani nga të tjera vende dhe më vonë e kuptuan se fluturimet për në destinacionin final nuk do të realizohen për shkak të grevës. Sa i përket të dhënave, në Frankfurt, 725 prej 1 mijë e 160 fluturimeve të planifikuara u anuluan, sipas një zëdhënësi të aeroportit.

Edhe fluturimet e kompanive tjera, në të cilat përfshihet stafi i Lufthansa-s, janë prekur. Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” bëri të ditur se greva e punonjësve të kompanisë Lufthansa mund të prekë edhe fluturimet drejt Kosovës sot e në orët e para të ditës së nesërme, periudhë që përkon me kohëzgjatjen e grevës.

Të dashur Udhëtarë,Së fundmi shumë aeroporte të BE-së janë prekur nga grevat e punonjësve që po ndodhin atje. Siç kemi…

Posted by Prishtina International Airport – Adem Jashari on Tuesday, July 26, 2022