Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Aktualitet

Greva në Rinas, ushtria zbarkon në aeroport!

Policia ushtarake dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit. Kjo lëvizje e policisë vjen për shkak të grevës të nisur nga kontrollorët e AlbControl ditën e sotme.

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku deklaroi se edhe Forcat e Armatosura do të marrin në ruajtje godinën e Albcontrol.

Në një konferencë për shtyp, Balluku tha se Policia e Shtetit do të bëjë detyrën, duke nxjerrë nga godina ata kontrollorë që kanë shkelur ligjin.

Kontrollorët e trafikut ajror kanë ndalur punën pas uljes së pagave nga 4400 dollarë në 2400 dollarë, me argumentin se kanë stres.  Për pasojë sot janë anuluar të gjitha fluturimet nga Aeroporti i Rinasit. Një gjë të tillë, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku e ka quajtur një grusht shteti, ku janë të përfshirë ish- kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta.

Në një deklaratë për media, Balluku u shpreh se për shkak të pandemisë, trafiku ajror është ulur dhe paga e tyre nga 4400 dollarë në vitin 2019, ka rënë në 2490 dollarë.

Ministrja theksoi se trafiku ka rënë me 57% dhe kontrollorët janë paguar me 43%, në bazë të trafikut ajror.

Balluku paralajmëroi se me bllokimin e trafikut ajror në Rinas nga greva e kontrollorëve do të merren masa ligjore, pasi ky është cenim i sigurisë kombëtare. Ajo tha se kontrollorët kanë përveç pagave të larta edhe privilegje të tjera, si fakti që punojnë vetëm 17 ditë në muaj, apo 205 ditë në vit.