Aktualitet

Hetime për helmimin e 30 personave në Bulqizë, priten analiza për shkaqet!

Drejtoria Vendore e Policisë Bulqizë reagoi për helmimin e 30 personave nga Gjorica duke theksuar se as të premten e as dje, në Komisariat nuk ka patur asnjë njoftim nga banorët apo personeli i qendrës shëndetësore Gjoricë.

Në njoftimin zyrtar thuhet se për të marrë ndihmë mjekësore, në këtë qendër shëndetësore u paraqitën rreth 30 vetë, banorë të zonës, të cilët shfaqën simptoma helmimi. DVP Bulqizë sqaron:

Pasi u trajtuan me ndihmën e parë mjekësore, banorët janë larguar në banesat e tyre.

Policia e Bulqizës informon se në lidhje me këtë ngjarje, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, AKU e nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon intensivisht punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Një ditë më parë, dyshimet e para lidheshin me mundësinë e konsumit të ujit të ndotur, por kjo mbetet të konfirmohet ose jo. Pritet që shkakun e vërtetë të situatës shqetësuese në Gjoricë të Bulqizës ta zbulojnë analizat e mëtejshme nga institucionet e specializuara për kryerjen e tyre.