Bota

Incidenti me dronin e rrëzuar amerikan në Detin e Zi, vazhdojnë replikat Rusi-Amerikë!

Ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anatoly Antonov, i bën thirrje Uashingtonit të ndalë ato që i quan “fluturime armiqësore pranë kufirit me Rusinë”. Kjo pasi një dron amerikan u përplas me një avion rus mbi Detin e Zi.

Ne presim që SHBA-të të përmbahen nga spekulimet e mëtejshme në media e të ndalojnë fluturimet pranë kufijve rusë. Çdo veprim që përfshin përdorim të armatimit amerikan, haptazi ne e konsiderojmë armiqësor.

Për atë që ndodhi dje, edhe më herët Rusia hodhi poshtë akuzat e Amerikës për rrëzimin e dronit në Detin e Zi ku sipas ushtrisë amerikane, “një avion luftarak rus u përplas me një dron vëzhgues pa pilot të Shteteve të Bashkuara”. U përfshinë dy avionë rusë të llojit Su-27. Njëri prej tyre goditi helikën e dronit MQ-9.

Moska mohon se avionët rusë kishin armë në bord e kontakt me dronin amerikan. Sipas Kremlinit, sistemi i kontrollit të hapësirës ajrore të Rusisë detektoi MQ-9/ën teksa fluturonte mbi Detin e Zi, pranë Gadishullit të Krimesë, në drejtim të kufirit me Rusinë. Moska pretendon se SHBA-të shkelën kufijtë e hapësirës së përkohshme ajrore ruse, të krijuar për shkak të atij që e quajnë “operacion i posaçëm ushtarak në Ukrainë”.

Amerika thërriti për sqarim ambasadorin rus në Uashington, për të protestuar. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price:

Sërish përmes niveleve të larta, jemi angazhuar drejtpërdrejt me rusët për të shprehur kundërshtimet tona mbi këtë pengim të pasigurt e joprofesional, që shkaktoi rrëzimin e dronit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.   Ambasadori rus në Uashington u thirr në DASH, ndërsa ai amerikan në Moskë paraqiti kundërshti të fortë. Ky incident paraqet shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar.

Ngjarja pason disa veprime të rrezikshme të kryera nga pilotët rusë kur u përballën me avionët e SHBA-ve e të aleatëve në hapësirën ndërkombëtare, përfshirë atë mbi Detin e Zi. Në mënyrë të përsëritur, forcat amerikane kryejnë fluturime në mbarë Europën mbi territore sovrane e përmes hapësirës ndërkombëtare, në koordinim me shtetet respektive e me ligjet ndërkombëtare.