Bota

Izraeli do t’i përgjigjet akuzës për gjenocid në GJND!

Sot Izraeli do të përgjigjet ndaj akuzës për gjenocid në gjykatën më të lartë të Kombeve të Bashkuara, pasi Afrika e Jugut dorëzoi një kërkesë urgjente duke kërkuar që të lëshohet urdhri për armëpushim në Gaza.  Kjo është hera e tretë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) mban seanca dëgjimore për luftën mes Izraelit dhe Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian, që kur Afrika e Jugut ngriti çështje në muajin dhjetor 2023 pranë kësaj gjykate që e ka selinë në Hagë.

Një ditë më parë, Afrika e Jugut i tha gjykatës se situata në Gaza ka arritur “në një fazë të re dhe të tmerrshme” e iu bëri thirrje 15 gjyqtarëve që të ndërmarrin veprime urgjente. Izraeli duhet që “plotësisht dhe pa kushte” të tërhiqet nga Rripi i Gazës, u shpreh Vusimuzi Madonsela, ambasador i Afrikës së Jugut në Holandë.

Afrika e Jugut ka dorëzuar katër kërkesa në GJND për të hetuar Izraelin. Referuar kërkesës më të fundit, shteti tha se inkursioni ushtarak i Izraelit në Rafah kërcënon “mbijetesën e palestinezëve në Gaza”.

Gjatë seancave dëgjimore që u mbajtën më herët këtë vit, Izraeli mohoi fuqishëm akuzën se po kryen gjenocid në Gaza duke thënë se po bën gjithçka që mundet për të kursyer civilët e se po shënjestron vetëm radikalët e Hamasit. Izraeli u shpreh se Rafahu është bastioni i fundit i Hamasit.

Në janar, gjykatësit urdhëruan Izraelin që të bëjë gjithçka që mundet për të parandaluar vdekjet, shkatërrimin e çdo akt të gjenocidit në Gaza, por paneli i gjyqtarëve nuk e urdhëroi që t’i japë fund ofensivës ushtarake. Gjykata ka konkluduar se palestinezët në Gaza janë në “rrezik të vërtetë” nga operacionet ushtarake të Izraelit.

Ky mund të jetë shansi i fundit që gjykata të veprojë, tha avokati Blinne Ni Ghralaigh, pjesë e ekipit ligjor të Afrikës së Jugut.

GJND-ja ka fuqi të gjera sa i përket lëshimit të një urdhri për armëpushim dhe masave të tjera, edhe pse gjykata nuk ka aparatin e saj që të zbatojë këto vendime. Shumica e popullsisë prej 2.3 milion banorësh e Gazës është zhvendosur që kur nisën luftimet.

Lufta nisi pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë afër 1.200 persona dhe rrëmbyer rreth 250 të tjerë. Më shumë se 35 mijë palestinezë janë vrarë në luftë sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.