Celebrities Film & Tv Showbiz

Ja çfarë dimë për “Big Brother VIP” deri më tani sipas prezantueses Arbana Osmani!

Është paralajmëruar prej vitesh se “Big Brother VIP” do të zhvillohet edhe në Shqipëri, por momenti ka ardhur më në fund. Ka pasur shumë thashetheme mbi moderatoren e këtij reality-show, apo edhe mbi konkurrentët që do të hynin në shtëpinë më të famshme në Shqipëri. Megjithatë, pritjes dhe pikëpyetjeve tona i erdhi fundi.

Ka qenë vetë moderatorja Arbana Osmani, që në llogarinë e saj në Instagram ka konfirmuar se këtë edicion do të jetë ajo që do ta drejtojë programin dhe i ka dhënë përgjigje çdo pyetje që mund të kishin ndjekësit e saj. Krahas postimit të saj, moderatorja shkruan:

13 vite më parë, kur isha vetëm 25 vjeçe, Tani më besoi drejtimin e spektaklit që do të gozhdonte shqiptarët para ekranit për gati një dekadë. Dita kur në celularin tim ka ardhur mesazhi i tij “Urime për Big brother” ka qenë një nga ditët më të lumtura të jetës sime, e megjithatë kurrë nuk ma kishte marrë mendja që “Big Brother” do identifikohej aq shumë me mua dhe unë me të sa që me kalimin e viteve mu bë si mbiemër. Kur në prill të këtij viti drejtuesit e Top Channel më kërkuan drejtimin e formatit pikërisht sepse “nuk ka asnje kuptim nëse nuk je ti” gëzova njësoj si para 13 viteve, por nuk doja ta ndaja me ju pa filluar puna. Që atëherë, bashkë me një skuadër fantastike kemi punuar dhe po punojmë çdo ditë për të risjellë në sezonin e ri në ekranin e Top Channel programin që prisni prej 4 vitesh. Me besimin që do te jetë një edicion i paharrueshëm, emocionues, drithërues e dinjitoz, siç e meriton. Shihemi në tetor, me “Big Brother Vip“.

Në InstaStory, ajo ka dhënë dhe disa detaje më shumë për çdo paqartësi apo kuriozitet. Sërish edhe në këtë edicion, do të jenë plot 100 ditë transmetimi live që do të transmetohen në dy kanale të platformës Digitalb. Shtëpia do të jetë tejet luksoze me një sipërfaqe prej 1500 metra katrorë. Arbana ka zbuluar dhe rreth çmimit të madh këtë vit dhe do të jetë 100 mijë euro. Sa për opinonistin, ajo është shprehur se do të jetë ai apo ajo që do të përfaqësojë më mirë opinonin e secilit prej publikut që do të ndjekin programin nga shtëpia, përfaqësuesi i zërit të publikut në atë studio.

“Big Brother VIP” do të transmetohet live 23 orë në dy kanale në Digitalb dhe përmbledhja ditore do të jetë çdo ditë në “Top Channel”. Arbana Osmani ka zbuluar dhe se ndryshe nga vitet e kaluara, do të ketë dy spektakle në javë me emocione të forta si përherë. Ndërsa transmetimet në YouTube do të jenë të përzgjedhura. Një ndjekës e ka pyetur nëse do të ketë banorë nga emisioni “Përputhen”, por ajo nuk e ka zbuluar këtë duke u përgjigjur vetëm se kasti do të zbulohet në një datë të caktuar. Por pse pikërisht tani ky format dhe me katër vite ndërprerje?

Një format televziv ndodh që të mos zhvillohet për arsye të ndryshme. Ka në botë formate shumë të suksesshme që e lodhin audiencën dhe kanë një stop. Ka formate realizimi i të cilave është shumë i kushtueshëm dhe kostot nuk e justifikojnë suksesin dhe kanë një stop. Mendoj që para 4 vitesh, “Big Brother” ndaloi në momentin e duhur. Ndryshe nuk do ishte gjithë kjo dëshirë për ta riparë.  Ashtu siç mendoj që tani janë pjekur të gjitha kushtet për ta rifilluar, natyrisht me një vizion të ri dhe ambicie të reja të cilat fatmirësisht lexohen tek të gjithë ata që po punojnë fort për ta rikthyer me akoma më shumë shkëlqim se dikur. “Big Brother” është një sipërmarrje gjigante, është një televizion brenda televizionit dhe që në momentin që është vendosur rikthimi i realizimit të formatit, është investuar shumë. Po ndërtohet një shtëpi me sipërfaqe 1500 m2 ngjitur me studiot e TV, është investuar në teknologji për të patur fjalën e fundit të teknikës, në burime njerëzore për të patur profesionalistët më të mirë të fushës. Është një punë në skuadër që të jep veç frymëzim dhe motivim për të punuar. Është një frymë që kujton pak kohën e Tanit, ndoshta nga përfshirja e Lorit, ndoshta sepse na ka marrë malli për spektakle live, ndoshta sepse pritshmëritë janë të mëdha dhe përgjegjësitë akoma më të mëdha.

Me kaq shumë detaje sa zbuloi moderatorja duket se e shuam paksa kuriozitetin, por ende ka dhe shumë për të mësuar. Vetëm se do duhet të presim deri në një moment tjetër. Deri atëherë, “Big Brother po ju vëzhgon”!