Botë e Çuditshme

Jo më promovim të gëzofit të kafshëve! Disa revista të njohura firmosin peticionin…

“Elle” është bërë revista e parë e modës që premton t’i japë fund promovimit të gëzofit të kafshëve në përmbajtjen e tij editoriale dhe reklamuese. Grupi i të drejtave të kafshëve “Humane Society” dhe ai i reformës së industrisë “Creatives4Change” kanë bërë një peticion, i cili është firmosur nga 45 revista të njohura në mbarë botën.

13 revista e kanë respektuar këtë peticion, ndërsa 20 të tjera do t’u bashkohen atyre në fillim të vitit 2022 dhe pjesa tjetër në 2023. Palltot e gëzofit shpesh krijohen me poliester, të cilës i duhen qindra vjet për t’u biodegraduar. Drejtoresha ndërkombëtare e “Elle”, Valeria Bessolo LLopiz, duke folur në një konferencë në Oxfordshire tha:

Gëzofi duket se nuk pëlqehet më dhe nuk është më në modë.

Ndër ata që e mirëpritën vendimin ka qenë edhe organizata bamirëse për të drejtat e kafshëve “PETA”. “British Vogue”, “InStyle USA”, “Cosmopolitan UK” dhe “Vogue Scandinavia”, revista të tjera të botës së modës, kanë refuzuar të përmendin gëzofin në përmbajtjen e tyre editoriale.

Disa shtëpi mode dhe shitës me pakicë kanë hequr dorë nga përdorimi i gëzofit dhe lëkurës, duke përmendur presionin nga grupet lobuese dhe konsumatorët. Rikujtojmë, se konglomerati luksoz i modës që qëndron pas markave si Gucci, Yves Saint Laurent, Alexander McQueen dhe Balenciaga ka ndaluar përdorimin e gëzofit të kafshëve në të gjitha markat e tij deri në vjeshtën e vitit 2022.

CEO i Kering, François-Henri Pinault ndërkaq tha në një deklaratë se:

Koha tani ka ardhur. Bota ka ndryshuar, së bashku me klientët tanë dhe luksi natyrisht duhet t’i përshtatet asaj. Kur bëhet fjalë për mirëqenien e kafshëve, grupi ynë ka treguar gjithmonë gatishmërinë e tij për të përmirësuar praktikat brenda zinxhirit të tij të furnizimit dhe sektorit të luksit në përgjithësi.

Në vitin 2017, Gucci u bë shtëpia e parë e modës që u angazhua për të eliminuar gëzofin nga modelet e tyre, duke theksuar përgjegjësinë shoqërore si një nga vlerat kryesore të markës. Markat e tjera, përfshirë Balenciaga, Alexander McQueen dhe Bottega Veneta, gjithashtu kanë hequr dorë tashmë nga gëzofi.

Presioni ndaj markave për të ndërmarrë veprime të mëtejshme kundër mizorisë ndaj kafshëve është rritur për vite me radhë. Rikujtojmë gjithashtu se Chanel dhe Prada njoftuan se do të ndalonin përdorimin e gëzofit, respektivisht në vitet 2018 dhe 2019.