Bota Celebrities Music

Jo vetëm trofeu i Eurovisionit por edhe kapela e vokalistit të grupit Kalush Orchestra tani del në ankand për Ukrainën!

Ukraina u shpall fituese e “Eurovizion Song Contest 2022” me 631 vota. Grupi Kalush Orchestra me këngën “Stefania” arritën të fitonin me votat e publikut, duke lënë në vend të dytë Britaninë e Madhe. Fitorja vjen si një mesazh i fortë solidariteti dhe paqeje për Ukrainën, që shkon përtej muzikës dhe konkurrencës.

Menjëherë pas fitores, djemtë e grupit deklaruan se do të ktheheshin në atdhe për të luftuar, ndërsa së fundmi kanë bërë dhe një gjest tjetër human për vendin e tyre. Ata kanë nxjerrë në ankand trofeun e Evrovizionit, duke thënë se të ardhurat që do mblidhen nga shitja e tij do të shkojnë për bamirësi. 

Por jo vetëm kaq! Pëveç trofeut grupi i njohur ka bërë me dije se edhe kapela ngjyrë rozë me nënshkrimin e vokalistit të grupit do të dalë në ankand. I gjithë ky veprim është bërë me qëllimin e vetëm për të mbledhur fonde për ushtrinë ukrainase e cila po lufton kundër Rusisë.

Trofeu i Eurovision Song Contest do t’i jepet individit që dhuron sasinë më të madhe për bamirësinë e krijuar nga Serhiy Prytula për të mbledhur fonde për ushtrinë ukrainase. Që pasi u publikua janë mbledhur rreth 47,000 euro në gjashtë orët që nga shpallja e ankandit.

Duhet të theksohet gjithashtu se edhe video e publikuar vetëm pak orë pas shpalljes së fituesit është xhiruar në disa qytete në Ukrainë por vetë grupi nuk kishte dashur që ta publikonte atë gjatë eventit të njohur sepse nuk donin që kjo gjë të politizohej. Videoklipi deri tani numëron mbi 18 milion klikime.

Lideri i Kalush Orchestra, Oleh Psiuk i cili fitoi konkursin e këngës në Eurovizion, i dhuroi puthjen e lamtumirës të dashurës së tij për t’iu bashkuar vijës së parë në luftën e vazhdueshme të Ukrainës kundër Rusisë. Psiuk u fotografua duke përqafuar të dashurën e tij Oleksandra jashtë hotelit në Torino të Italisë, ndërsa ai u largua për t’iu bashkuar mbrojtjes së Ukrainës nga pushtimi rus.