Tech

Ju prezantojmë me Apollon, roboti që është i aftë të bëjë punët më të rënda!

Kompania amerikane Apptronik me seli në Austin, Teksas mendon se në një të ardhme të afërt, robotët do të bëjnë punët që njerëzit nuk duan t’i bëjnë më. Kompania prezantoi së fundmi robotin e saj më të fundit, të quajtur Apollo. Ai është i gjatë 170 cm, peshon 72,6 kg dhe mund të ngrejë pesha deri në 25 kg. Roboti funksionon përmes motorëve të vegjël elektrik që karikohen vazhdimisht, çka mund ta mbajë në punë për rreth 22 orë në ditë, shumë më tepër se një njeri.

Roboti ka panele digjitale që tregojnë nivelin e energjisë që i ka mbetur dhe punën që po kryen dhe çfarë do të bëjë më pas. Gjithashtu ai mund të lëvizë kokën dhe të tregojë drejtimin e lëvizjes. Objektivi fillestar për Apollon është që të kryejë punët e rënda, në magazina, ku ka mungesë punëtorësh. “Synimi ynë është që të ndërtojmë robotë që do të bëjnë gjërat që ne këtu në Tokë nuk duam t’i bëjmë dhe në të ardhmen edhe të eksplorojnë Hënën, Marsin e përtej tyre”,-thotë për CNN Jeff Cardenas, bashkëthemelues dhe CEO i Apptronik.

Rrënjët e Apollos vijnë nga roboti i ndërtuar në bashkëpunim me NASA-n, të quajtur Valkyrie. “Ne synojmë që robotët tanë të bëjnë mijëra punë të ndryshme”,-thotë Cardenas. “Mjafton përditësimi i sistemit dhe mund të shtosh një detyrë apo sjellje të re”. Krijuesit mendojnë se Apollo do të jetë i përballueshëm për çdo familje, pasi do të ketë çmimin e një makine mesatare në SHBA, që sipas përllogaritet në rreth 48 mijë dollarë.