Bota

Kalush Orchestra shet trofeun e Eurovizionit për t’i blerë dronë Ukrainës!

Fitoi Festivalin Europian të Këngës, Eurovizion, Kalush Orchestra vendosi të shesë trofeun dhe 900 mijë dollarët e siguruar do të shkojnë për të mbledhur fonde për luftën në Ukrainë, që vazhdon prej mbi tre muajsh. Grupi ukrainas u rendit i pari në kompeticionin e rëndësishëm muzikor të këtij muaji në Torino të Italisë e ku Shqipëria u përfaqësua nga Ronela Hajati me “Sekret”.

Mikrofoni i kristaltë u shit në një ankand në Facebook, me qëllim blerjen e dronëve për ushtrinë ukrainase. Siç raporton agjencia e lajmeve, Reuters, paratë do të përdoren për blerjen e tre dronëve ukrainas PD-2.

Trofeu u shit në ditën kur Kalush Orchestra mori pjesë në një koncert bamirësie në kryeqytetin gjerman Berlin, që gjithashtu kishte si qëllim mbledhjen e parave për të mbështetur kujdesin shëndetësor dhe siguruar të tjera furnizime për popullatën në zonat e shkatërruara nga luftimet me pushtuesit rusë.

Në një deklaratë gjatë koncertit, anëtari i grupit, Oleh Psiuk bëri thirrje që “njerëzit të mos mësohen me luftën”.

Referuar vlerësimeve zyrtare të Kombeve të Bashkuara, janë mbi 4 mijë viktima e më shumë se 4 mijë e 700 të plagosur në Ukrainë prej datës 24 shkurt. Por, nuk ka dyshime se në terren shifrat janë shumë më të larta, se ato që ka mundur të verifikojë OKB-ja. Ndërkohë, ende nuk jepen të dhëna për numrin e luftëtarëve të rënë në luftime me forcat e Moskës, që tashmë e kanë përqendruar ofensivën në lindje të Ukrainës.

Pushtimi i urdhëruar nga presidenti Vladimir Putin në emër të “operacionit për çmilitarizimin e denazistifikimin e vendit fqinj” dhe pasi nuk mori garanci se nuk do të hynte në NATO, ka detyruar mbi 14 milion njerëz të ikin nga shtëpitë, shumica në Poloni. Qytezat janë shndërruar në gërmadha e faktet drithëruese dëshmojnë për mizori të ushtarëve rusë, edhe pse Moska i hedh poshtë, si “të pavërteta” e “inskenime”.