Celebrities Gossip Showbiz

Kanye West apo…?! Zbulohet personi misterioz që shoqëroi Kim Kardashian në “Met Gala 2021”!

Mbrëmjen e kaluar është mbajtur një nga eventet më të rëndësishme të vitit “Met Gala 2021”. Nata më e madhe e modës u mbajt në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork, aty ku mbahet çdo vit. Në tapetin e kuq, pritej që të gjithë të famshmit e ftuar të mishëronin temën e stilit amerikan.

Tapeti i kuq  i “Met Gala”-s ka një histori të paharrueshme të krijimit të veshjeve që realisht janë për t’u mbajtur mend. Gjithmonë kjo mbrëmje ka qenë plot ngjarje dhe surpriza të papritura. Kështu ka rezultuar të jetë edhe mbrëmja e kaluar ku shumë të ftuar shkëlqyen dhe i mahnitën të gjithë.

Ju sjellim në vëmendje ‘look’-un e yllit të “KUWTK”, Kim Kardashian e cila bëri një hyrje madhështore në këtë event por pa treguar fytyrën e saj! Ajo i befasoi të gjithë teksa mori pjesë në “Met Gala” me një veshje të pazakontë. E frymëzuar nga ish-bashkëshorti i saj, Kanye West, ajo kishte mbuluar plotësisht fytyrën me veshjen e zezë Balenciaga.

Ajo shoqërohej nga një njeri misterioz, i mbuluar po ashtu tërësisht në të zeza, i cili ngjante shumë me Kanye West. E ndërkohë që të gjithë ishin të bindur se ajo shoqërohej nga ish-bashkëshorti i saj në “Met Gala”, në fakt ishte Demna Gvasalia, drejtori krijues i Balenciaga-s, ai që ishte në krah të yllit botëror.

Kim Kardashian cilësohet si një ndër femrat më të pasura dhe me më shumë influencë në botë dhe sigurisht ka vëmendjen e të gjithëve. 40-vjeçarja u shfaq para dy ditëve përsëri e veshur e tëra me të zeza dhe fytyrën të mbuluar. Një kostum i zi lëkure, nga koka e deri tek këmbët e ka bërë atë të jetë sërish në qendër të vëmendjes së mediave dhe jo vetëm.

Rikujtojmë, se veprimi i fundit i reperit të njohur Kanye West i ka habitur të gjithë. Ai nuk e ndjek më Kim Kardashian në rrjetin social Instagram dhe ky tanimë është një fakt. Ky veprim ka ardhur thuajse 7 muaj pasi Kim paraqiti kërkesën për divorc. Të njejtin veprim reperi e bëri edhe në kohën kur përflitej se po shoqërohej me supermodelen Irina Shayk.