Rajoni

Kosova shpall të mbyllur emergjencën nga pandemia COVID-19!

Qeveria e Kosovës mori vendimin për të shpallur të mbyllur emergjencën e shëndetit publik, pas tre vitesh betejë më pandeminë COVID-19. Kërkesën për të ndërmarrë këtë hap e drejtoi ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sot gjatë mbledhjes së kabinetit Kurti. Nga kjo mbledhje, Vitia deklaroi se institucioni që ai drejton ka marrë parsysh situatën epidemiologjike në Kosovë. Ministri shtoi se kërkesa e tij bëhet në përputhje me rekomandimin e Insitutit Kombëtar për Shëndetin Publik dhe deklaratën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, OBSH.

Më 5 maj të këtij viti, OBSH-ja theksoi tendencën në rënie të vdekjeve nga COVID-19 në gjithë botën, si dhe nivelet e larta të imunizimit të qytetarëve ndaj sëmundjes. Organizata këshilloi se është koha për të kaluar në menaxhimin afatgjatë të pandemisë. Në deklaratën e OBSH-së, të cilën e përmendi ministri Vitia, thuhet:

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së ka përcaktuar se tani COVID-19 është një çështje shëndetësore e vazhdueshme, e cila nuk përbën më një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar.

Kosova e shpalli emergjencën e shëndetit publik në mes të muajit mars të vitit 2020. Shpallja e kësaj gjendjeje krijoi mekanizma për të ofruar ndihmë të koordinuar qeveritare për qytetarët.

Natyrisht, Ministria e Shëndetësisë me institucione të tjera përgjegjëse do të vazhdojnë të përcjellin nga afër dhe me shumë kujdes situatën epidemiologjike në vend e në përputhje me këtë do të merren të gjitha veprimet e nevojshme në të ardhmen.

Në Kosovë, deri tani janë 3 mijë e 217 persona që kanë gjetur vdekjen si pasojë e COVID-19/ës. Afro 274 mijë të tjerë u prekën nga virusi që për herë të parë u evidentua në Kinë, në dhjetor 2019. Po në këtë mbledhje, kryeministri Albin Kurti tha se brenda 6 muajve nga fillimi i vaksinimit masiv është imunizuar “60% e popullatës së targetuar”.

Sipas të dhënave të OBSH-së, deri më 15 janar të vitit 2023, në Kosovë janë administruar gjithsej 1 milion e 836 mijë e 901 doza vaksinash.