Rajoni

Kurti dhe Vuçiç konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin e Brukselit me kryediplomatin Borrell!

Liderët e Kosovës dhe Serbisë konfirmuan se do të marrin pjesë në takimin për menaxhimin e krizave, të thirrur nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell. Presidenti serb, Aleksander Vuçiç tha se sot do të takohet me Borrellin në Bruksel, por jo me Kurtin.

Biseda me të [Kurtin] nuk ka kuptim. Ai na jep leksione për filozofinë, pak për [Adem] Demaçin, pak për [Karl] Marksin.

Një ditë më parë, Kurti konfirmoi pjesëmarrjen në Bruksel. Kryeministri i Kosovës tha se në atë takim do të kërkojë “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve që po mbahen peng nga Serbia, si dhe shtensionimin e situatës e normalizimin e marrëdhënieve”.

Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell u shpreh se ka ftuar liderët e Kosovës e të Serbisë në një takim urgjent në Bruksel, për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale.

Kam ftuar liderin e Serbisë, Aleksander Vuçiç dhe atë të Kosovës, Albin Kurti në Bruksel, për takime urgjente e për të gjetur një mënyrë për të dalë nga kriza aktuale. Na duhet shtensionim i menjëhershëm i situatës dhe zgjedhje të reja në veri, me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Këto janë parësore për rajonin dhe BE-në.

Më herët, burime diplomatike përmendën dhe mundësinë që Kurti e Vuçiç të mos kenë bisedime direkte, por vetëm takime bilaterale me Borrellin.

Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët atje.

Që atëherë, serbët kanë protestuar para ndërtesave komunale në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç. Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan më tej, pas arrestimit të tre policëve të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova deklaroi se ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë, në Leposaviç.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tre kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat atje e rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.