Celebrities Film & Tv Showbiz

Lady Gaga për “House of Gucci”: “Ky film është një mësim për të gjithë brezat, një mesazh për pasurinë…”

Lady Gaga luajti rolin kryesor në filmin “House of Gucci” si Patrizia Reggiani, një grua e famshme që mori fokusin për komplotin e vdekjes së ish-bashkëshortit të saj, Maurizio Gucci një rol i luajtur nga Adam Driver. Madje për këtë rol, këngëtarja dhe tashmë aktorja, ka pranuar se ishte një përvojë që arriti t’i ndryshonte dhe jetën.

Së fundmi, Lady Gaga ka qenë e ftuar në një program italian, në “Che tempo che fa”. Ajo tha se roli i saj si gruaja e Maurizio Gucci-t që në fund organizon vrasjen e të shoqit e ka bërë atë që të mendojë. Në vitin 1995 ai u qëllua jashtë zyrës së tij në Milano, ndërsa ish-gruaja e tij u dënua me 29 vite burg për organizimin e atentatit. Gaga u shpreh se:

Kuptova se pas gjithë kësaj fshihej një histori më e ndërlikuar. Nuk jam dakord me atë që ka bërë dhe mendoj se është fajtore. Doja një personazh që ishte një person real dhe e gjeta. Mendoj se ajo bëri një gabim vërtet të madh. Megjjithatë mendoj se ai gabim u bë pasi ajo është lënduar shumë herë me kalimin e kohës. Mendoj se ky film është në një farë mënyre një mësim, për të gjithë brezat. Është një mesazh për pasurinë, për privilegjet që njerëzit kërkojnë, sepse të gjithë burrat vazhdonin të ziheshin për paratë, për emrin ‘Gucci’, pa e vënë re që një grua po planifikonte vrasjen. Dhashë më të mirën time dhe vazhdova të luftoja kundër kësaj ideje për të qenë një vrasëse, por në të njëjtën kohë vendosa të jem grua.

Rikujtojmë se, Gaga ka folur për “New York Times” se puna me Ridley Scott në “House of Gucci” ishte e pashembullt, duke e lavdëruar regjisorin edhe për qasjen e tij bashkëpunuese në realizimin e filmave. Artistja tha se Scott e ka ndihmuar në formimin e karakterit të saj si një grua që martohet me perandorin e ‘Gucci’ dhe më pas largohet nga familja e modës kur burri i saj e lë atë për një grua tjetër.