Bota

“Lufthansa” nesër në grevë, anulohen 800 fluturime!

Kompania ajrore gjermane “Lufthansa” anulon fluturimet e planifikuara për nesër, 800 të tilla. Shkak është greva e pilotëve. Anulimet përfaqësojnë pothuajse të gjitha fluturimet e kompanisë jashtë qendrave kryesore të Mynihut e Frankfurtit në Gjermani. Sindikata “Vereinigung Cockpit” konfirmoi se më 2 shtator, pilotët e “Lufthansa”-s do të organizojnë një grevë. Pas një tjetër raundi bisedimesh, dështuan negociatat për një marrëveshje të re pagash.

Edhe në fund të korrikut, më shumë se 1 mijë fluturime të Lufthansa-s u anuluan për shkak të grevës së punonjësve të kompanisë ajrore gjermane. Ky vendim i stafit ka prekur qindra mijëra pasagjerë, ndërsa kriza e udhëtimeve vazhdon të thellohet në Europë, tani që lëvizjet janë rikthyer në nivelet e 2019-ës, vitit para pandemisë koronavirus. Rreth 134 mijë pasagjerë u detyruan të ndryshojnë planet për udhëtime apo edhe t’i anulojnë ato.

Më së shumti u prekën ndalesat e kompanisë Lufthansa në aeroportet e Frankfurtit e Mynihut, si edhe në të tjera qytete gjermane: Dyseldorf, Hamburg, Berlin, Bremen, Hanover, Shtutgart e Këln.

Kompania u kishte sugjeruar pasagjerëve të mos shkonin në aeroporte, pasi për shumicën e shërbimeve nuk pati staf. Në orët e para të mëngjesit të datës 27 korrik, terminalet ishin thuajse bosh, por më vonë gjatë ditës, pra të së njëjtës datë, njerëzit tentuan të gjejnë zëvendësime për fluturimet e anuluara.

Shumë pasagjerë kishin shkuar në Gjermani nga të tjera vende dhe më vonë e kuptuan se fluturimet për në destinacionin final nuk do të realizoheshin për shkak të grevës. Sa i përket të dhënave, në Frankfurt, 725 prej 1 mijë e 160 fluturimeve të planifikuara u anuluan, sipas një zëdhënësi të aeroportit.