Music

Maneskin triumfon në Sanremo 2021, Ermal Meta i treti me “Un milione di cose da dirti”

Grupi rock Maneskin është fituesi i edicionit të 71-të të Festivalit të Sanremos. Me “Zitti e buoni”, banda e përbërë nga Damiano David, Victoria De Angelis, Thomas Raggi dhe Ethan Torchio triumfoi mes 26 emrave Big në skenën e Teatrit Ariston duke lënë pas Fedez e Francesca Michielin me “Chiamami per nome”. Në vend të tretë Ermal Meta me “Un milione di cose da dirti”. Kantautori shqiptar i rritur në Itali ishte favorit për të fituar Festivalin e Këngës Italiane të zhvilluar nga data 2 deri më 6 mars pa publik për shkak të pandemisë koronavirus. Por siç do të theksonte Ornella Vanoni, këngëtarja 86-vjeçare e njohur si një prej interpretueseve më të spikatura të muzikës së lehtë italiane, “Emocioni është i njëjtë edhe kur nuk e shohin me sy publikun që gjithësesi mbetet prezent”.

Për të dytin edicion radhazi në drejtim ishin Amadeus, gjithashtu si drejtor artistik e Fiorello. Por jo vetëm dyshja e njohur. Bashkë me ta shumë figura të muzikës, televizionit, kinemasë e sportit italian. Për t’u veçuar simpatia që solli në skenë futbollisti i Milanit, Zlatan Ibrahimovic. Ndërkaq, me Çmimin e Kritikës “Mia Martini” u vlerësua reperi italian Willie Peyote, pseudonim i Gugliemo Brunos me këngën “Mai dire mai”.