Botë e Çuditshme Love & Sex

Martesë në kohë lufte, çifti ukrainas kurorëzojnë dashurinë e tyre mes rrënojave!

Mjeku dhe infermierja ukrainase kanë zgjedhur që mes rrënojave të luftës të kurorëzojnë dashurinë e tyre. Mediat e huaja kanë bërë me dije se çifti e kanë parë të gjithë jetën e tyre të ndryshojë në javët e fundit, por dashuria që i bashkon është bërë më e fortë. Shpresa që “rritet” nëpër rrënojat e luftës mund të marrë forma të ndryshme, si përshembull imazhi i një çifti të dashuruar që vendos të zyrtarizojë marrëdhënien e tyre në mes të një pushtimi të egër të vendit të tyre, duke e ditur mirë se sa i çmuar është çdo moment.

Të sapomartuarit Anton Sokolov dhe Nastya Gratseva u fotografuan menjëherë pas dasmës së tyre në rrënojat e një kompleksi zyrash dhe dyqanesh në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv. Ndër të tjera në raportimet e mediave të huaja thuhet se para shpërthimit të luftës, Nastia punonte si infermiere në klinikën onkologjike ku Antoni ushtronte mjekësi, ndërsa gjatë luftës ato janë bërë vullnetarë dhe ofrojnë shërbimet e tyre mjekësore për këdo që ka nevojë, ndërsa mbledhin para për blerjen e furnizimeve mjekësore.

Kharkiv ka qenë vazhdimisht në shënjestër të bombardimeve të rënda që nga fillimi i luftës. Guvernatori lokal njoftoi se forcat ruse kishin bombarduar sërish qytetin, duke vrarë dhe plagosur një numër njerëzish. Rikujtojmë, se një 23-vjeçare ukrainase u bë nënë në rrethana të pazakonta. Në një rifuxho antiajrore në Kiev, ku popullata detyrohet të qëndrojë sa herë që bien sirenat e alarmit, e reja lindi vajzën e saj, Mia. Fotoja e të porsalindurës po bën xhiron e botës dhe ofron një rreze shprese në një moment të tillë, kaq të errët.