Bota

Masakra në Teksas, Papa Françesku: “Të punojmë që të mos përsëriten këto tragjedi!”

Në një mesazh nga sheshi Shën Pjetër në Vatikan, Papa Françesku shprehu tronditjen për masakrën në një shkollë amerikane në Teksas, ku një 18-vjeçar hapi zjarr duke vrarë të paktën 19 fëmijë.

Jam zemërthyer pas masakrës në shkollën fillore në Teksas. Lutem për fëmijët, për të rriturit e vrarë dhe për familjet e tyre! Eshtë koha të mos flasim më shumë për tregtinë pa dallim të armëve. Le të punojmë të gjithë shumë, për të siguruar që tragjedi të tilla të mos ndodhin më kurrë!

Krahas 19 fëmijëve, u vranë edhe dy të rritur, një prej tyre mësuese. Agresori Salvador Ramos u ekzekutua nga policia në qytetin Uvalde. Dukshëm i tronditur dhe me lot në sy, presidenti amerikan Joe Biden iu drejtua amerikanëve, si dhe ligjvënësve e senatorëve të Kongresit Amerikan me fjalët: “Eshtë çasti që dhimbjen ta shndërrojmë në veprim e të përballemi me lobuesit e armëve”.

I sapokthyer nga udhëtimi në Azi, shefi i Shtëpisë së Bardhë foli në krah të Zonjës së Parë, Jill Biden, e veshura e gjitha me të zeza. Presidenti amerikan u shpreh “i lodhur” dhe “i zemëruar”. Në shenjë zie, Biden urdhëroi që flamujt në mbarë Amerikën, të qëndrojnë në gjysmështizë deri ditën e shtunë, më 28 maj.

Sipas fakteve të publikuara deri tani, fillimisht vrasësi qëlloi me armë zjarri gjyshen e më pas u përfshi në një aksident rrugor në afërsi të shkollës Robb Elementary School. Ai zbriti nga makina, i armatosur me pushkë e me jelek antiplumb. Me të hyrë në mjediset e brendshme, nisi të hapë zjarr në disa klasa. Armët i kishte blerë në 18-vjetorin e lindjes.

Senatori i shtetit të Teksasit, Roland Gutierrez, tha për CNN-in se tre të rritur gjetën vdekjen, por pa specifikuar nëse i referohej edhe autorit. Gjithashtu, ai deklaroi se “gjyshja e të dyshuarit është në gjendje kritike për jetën”.

Viktimat në shkollën fillore “Robb”, janë edhe më të shumtë se të masakrës së 10 viteve më parë kur në shënjestër ishte shkolla fillore “Sandy Hook” ku në atë kohë u vranë 20 fëmijë.