Auto & Moto

Mercedes shet makinën më të shtrenjtë në histori!

Mercedes Benz ka konfirmuar së fundmi se ka shitur makinën më të shtrenjtë në botë. Një model tepër i rrallë SLR Coupe i vitit 1955, që mbahej në koleksionin e kompanisë gjermane, u shit për 135 milionë euro, ose 142 milionë dollarë. Ky çmim e bën atë makinën më të shtrenjtë të shitur ndonjëherë në histori. Kompania tha se me paratë do të ngrihet Fondi Mercedes-Benz, një fond për bursa.

Rekordi i mëparshëm për çmimin e një makine mbahej nga një model Ferrari 250 GTO, i vitit 1963, e shitur për 70 milionë dollarë. Makina Mercedes e shitur ishte vetëm një prej dy prototipave të prodhuara, të quajtura 300 SLR Uhlenhaut Coupe, sipas kryeinxhinierit të Mercedes, Rudolf Uhlenhaut. Sipas Mercedes, mjeti 67-vjeçar u shit më 5 maj, në një ankand të mbyllur, ku pjesëmarrësit kishin marrë ftesa. Makina tjetër e këtij modeli do të mbetet në muzeun e Mercedes.

Prototipi bazohej në një model makine garash SLR, me 300 kuaj fuqi, që arrin shpejtësi deri në 300 km/h. Por pak kohë pas prodhimit të këtyre mjeteve, Mercedes nuk u përfshi më në botën e makinave të garave, kështu që ato nuk u përdorën kurrë në ndonjë kompeticion. Rikujtojmë, se Mercedes-Benz ka thënë së fundmi se po kërkon tërheqjen vullnetare të 292 mijë automjeteve të kategorisë ML, GL dhe R-Class të viteve 2006 deri në 2012 nga SHBA për shkak të problemeve të frenimit dhe u bëri thirrje pronarëve të ndalojnë menjëherë ngasjen e tyre.

Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada (NHTSA) tha se prodhuesi gjerman i automjeteve po tërheq vullnetarisht makinat për shkak të problemeve me përforcuesit e frenave që mund të ndikojnë rëndë aftësinë e frenimit, duke rritur rrezikun e një përplasjeje. Mercedes-Benz USA njoftoi se deri më tani nuk ka pasur përplasje, lëndime apo vdekje në lidhje me këtë çështje.