Auto & Moto

Mercedes vjen me një thirrje për pronarët e këtyre automjeteve!

Mercedes-Benz ka thënë së fundmi se po kërkon tërheqjen vullnetare të 292 mijë automjeteve të kategorisë ML, GL dhe R-Class të viteve 2006 deri në 2012 nga SHBA për shkak të problemeve të frenimit dhe u bëri thirrje pronarëve të ndalojnë menjëherë ngasjen e tyre. Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada (NHTSA) tha se prodhuesi gjerman i automjeteve po tërheq vullnetarisht makinat për shkak të problemeve me përforcuesit e frenave që mund të ndikojnë rëndë aftësinë e frenimit, duke rritur rrezikun e një përplasjeje. Mercedes-Benz USA njoftoi se deri më tani nuk ka pasur përplasje, lëndime apo vdekje në lidhje me këtë çështje.

‘NHTSA’ tha se automjetet që nuk shfaqin korrozion të avancuar mund të vazhdojnë të përdoren pa veprime të mëtejshme, ndërsa automjetet me korrozion të avancuar do të kenë një provë shtesë. Automjetet që kalojnë testin mund të përdoren deri në dy vjet, por duhet të kthehen për një riparim shtesë, ndërsa ato që nuk e kalojnë do të kërkojnë një zëvendësim përforcues frenash.

‘NHTSA’ tha gjithashtu se në raste të rralla të korrozionit shumë të rëndë, një manovër e fortë frenimi mund të shkaktojë dëmtim mekanik në përforcuesin e frenave, ku lidhja midis pedalit të frenimit dhe sistemit të frenimit do të dështonte. Rikujtojmë, se Mercedes-Benz po planifikon të përgjysmojë emetimet e dioksidit të karbonit për makinë pasagjerësh deri në fund të kësaj dekade duke elektrizuar flotën e saj, duke instaluar infrastrukturën e karikimit që përdor energjinë e gjelbër, duke përmirësuar teknologjinë e baterive dhe duke përdorur materiale të ricikluara dhe energji të rinovueshme në prodhim.