Aktualitet

Ministrja Manastirliu: Spitali Infektiv, gati brenda gushtit!

Ndërsa vijojnë punimet për rikonstruksionin dhe zgjerimin e kapaciteteve në Infektivin e QSUT-së, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu theksoi synimin që në fund të muajit të përfundojë nga pikëpamja e rehabilitimit të infrastrukturës, ndërsa në gusht, të jetë funksional. Infektivi mund të kthehet në një spital gjysmë terapie intensive.

Ashtu sikurse tashmë kjo strukturë është e projektuar, do të kemi më shumë se 60% të dhomave me ajër me presion negativ. Kjo ndihmon shumë për sa i përket trajtimit të sëmundjeve infektive. Reanimacioni rrit kapacitetet duke i dyfishuar ato. Ndërkohë që gati të gjitha dhomat ofrojnë të gjitha panelet e gazrave mjekësore duke e kthyer në një moment të caktuar nëse do të na duhet dhe një spital pra, gjysmë terapie intensive.

Për situatën epidemiologjike ku vihet re rritje e numrit të rasteve me COVID, Manastirliu tha se duhet të jemi gati për të përballuar një valë të re infektimesh.

Ashtu sikurse është alertuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, vjeshta mund të vijë me një valë të re të COVID-it dhe varianteve të reja të Omicronit. Ndaj duhet të bëhemi gati që t’i përballojmë të gjitha ato emergjenca që mund të vijnë në të ardhmen, duke ndërtuar e fuqizuar kapacitetet.

Investimi me vlerë 5.6 milion euro konsiston në rindërtimin dhe zgjerimin e kapaciteteve të Spitalit Infektiv. Ky investim vjen në kuadër të fuqizimit të kapaciteteve në sistemin spitalor e veçanërisht në përgjigje të fuqizimit të kapaciteteve për shërbimet spitalore për sëmundjet infektive dhe Planin e Masave 2021-2022 për përgjigjen ndaj pandemisë COVID-19.

Kapaciteti i plotë i këtij spitali do të jetë 118 shtretër. Projektimi i dhomave te pacienteve është me presion ajri negativ, për të mos lejuar qarkullimin e sëmundjeve infektive nga dhoma në ambientet e përbashkëta. Projekti parashikon dyfishim të kapaciteteve të reanimacionit dhe shtim të kapaciteteve do të ketë dhe në repartin e urgjencës.

Spitali do të ketë të gjithë pajisjet e nevojshme të fjalës së fundit të teknologjisë, si dhe do të investohet për të gjithë rrjetin e monitorimit të të gjithë aktivitetit të spitalit, në ndërtimin e rrjetit të të dhënave, për monitorimin e pacientëve në kohë reale. Spitali i ri do të jetë i pajisur edhe me auditor e salla leksioni për studentët e mjekësisë.