Art & Kulturë

Mona Liza do të zhvendoset në një dhomë të veçantë në muzeun e Luvrit për një arsye shumë të fortë!

Muzeu i Luvrit në Francë, mund ta zhvendosë Mona Lizën në një dhomë të veçantë. Ajo është vepra e artit më e famshme dhe më e vizituar në botë, me deri në dhjetë milionë admirues në vit. Buzëqeshja e saj enigmatike, madje është vënë në shënjestër nga hajdutët, protestuesit, madje edhe nga një burrë i maskuar si një grua e moshuar në karrocë, i cili i hodhi tortë në fytyrë.

Piktura e Leonardo da Vinçit “Mona Lisa” do të zhvendoset, për t’i dhënë më shumë hapësirë La Gioconda-s, si dhe për të qetësuar vizitorët. Vizitorët e muzeut, shpenzojnë mesatarisht 50 sekonda për të admiruar “Mona Lizën”, e cila shfaqet pas një barrierë dhe xhami antiplumb në qendër të Salle des Etats (xhami i instaluar në vitet 1950, për ta mbrojtur atë pas një sulmi me acid). Shumë e kanë quajtur atë, kryeveprën më zhgënjyese në botë.

E kuptueshme vërtet, pasi turmat e mëdha dhe hapësira e kufizuar në galeri, do të thotë se është e vështirë të shohësh Mona Lizën. Përballë këtij problemi, drejtori i muzeut tani po propozon të vendosë në një vend të izuluar kryeveprën e da Vinçit. Laurence des Cars, drejtori i muzeut të Luvrit u shpreh se:

Lëvizja e Mona Lizës në një dhomë të veçantë, mund t’i japë fund zhgënjimit të publikut. Vizitorët nuk po ndihen mirë në dhomën aktuale, kështu që ne mendojmë se nuk po e bëjmë punën tonë siç duhet.

Një hapësirë e re e dedikuar për “Mona Lizën”, ka kuptim – si për pikturën e da Vinçit ashtu edhe për ‘fqinjët’ e saj, që do të mund të kenë më shumë vëmendje. Vincent Delieuvin, kuratori kryesor i pikturës italiane të shekullit të 16-të, tha:

Ne kemi menduar për këtë për një kohë të gjatë, por këtë herë të gjithë janë dakord.

Tingëllon mirë, por nisma do të ketë nevojë për shumë punime dhe ndryshime, duke përfshirë hapjen e një hyrje të re në pallatin e Luvrit (në fasadën e kolonadës) dhe krijimin e dy dhomave të reja, në bodrumin nën oborrin katror të Luvrit.